Një 23-vjeçar është arrestuar nga Policia në Tiranë pasi ishte shpallur në kërkim me akuzën e tentativës për vrasje me paramendim.
Policia bën me dije se i riu me inicialet F.B ishte shpallur në kërkim për ngjarjen e ndodhur më datë 15 dhjetor të vitit të kaluar në ambientet e një lokali në Durrës, ku ka tentuar që të vrasë me armë zjarri një person.
Ndaj tij, gjykata e Durrësit kishte dhënë në muajin mars masën e sigurisë “arrest në burg” për veprën penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim.
Sipas policisë, ai ka tentuar që të qëllojë personin tjetër në bashkëpunim me 3 shtetas të tjerë.
Njoftimi i Policise:
Si rezultat i koordinimit të veprimeve operacionale ndërmjet specialistëve të Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe shërbimeve të Komisariatit të Policisë Kamëz, u kap në Tiranë, në kuadër të operacionit të koduar “Akuza”, shtetasi i shpallur në kërkim, F. B., 23 vjeç.
Gjykata e Durrësit, në muajin mars, 2026, i ka caktuar shtetasit F. B., masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, pasi dyshohet se më datë 15.12.2025, në lagjen nr. 9, në ambientet e një lokali, ka tentuar të vrasë me armë zjarri, në bashkëpunim me 3 shtetas të tjerë, shtetasin F. K.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.



