Pas 25-vitesh, një 49-vjeçar është arrestuar nga policia pasi akuzohet për një tentativë vrasje të ndodhur në vitin 1997 në Fier.
Policia bën me dije se materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.
Njoftimi i Policisë:
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Fier, në bashkëpunim me Seksionin për Krimet e Rënda në DVP Fier, operacioni policor i koduar “Vazhdimësia”. Zbardhet dhe dokumentohet me prova ligjore një ngjarje e ndodhur në vitin 1997, në qytetin e Fierit. Vihet në pranga një shtetas i shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”. Pas rifillimit të çështjes penale, në bashkëpunim dhe me Prokurorinë Fier, strukturat për Hetimin e Krimeve në DVP Fier, pas një pune operative dhe hetimore intensive, kanë bërë të mundur dokumentimin ligjor të ngjarjes së ndodhur në datën 24.06.1997, në Fier, ku është tentuar të vritet me armë zjarri shtetasi K. Xh. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier bënë të mundur lokalizimin dhe kapjen e shtetasit R. M., autor i dyshuar i kësaj ngjarjeje. Nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Fier u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, e cila i ka vendosur shtetasit R. M., 49 vjeç, banues në Mbrostar Ura, Fier, masën “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale./GSH