Njoftimi i policisë:
Malësi e Madhe
Tentoi t’i vidhte nën kërcënimin e armës së zjarrit, bagëtitë e imta një shtetasi në kullotën e fshatit Nikç, reagimi i menjëhershëm i Policisë bëri të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar.
Sekuestrohet një armë zjarri automatik, një krehër me municion luftarak dhe një mjet prerës (thikë).
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, pas njoftimit se një shtetas nën kërcënimin e armës po tentonte t’i vidhte një shtetasi bagëtitë që i kishte për kullotë në mal në fshatin Nikç, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta, shërbimet e Policisë kanë identifikuar, kapur dhe arrestuar shtetasin G. B., 27 vjeç, banues në fshatin Vukël.
Policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe armën e zjarrit kallashnikov që dyshohet se ky shtetas kishte qëlluar në ajër duke kërcënuar shtetasin V. N për t’i marrë bagëtitët e imta. Gjithashtu janë sekuestruar dhe një krehër me municion luftarak dhe një mjet prerës (thikë) dhe një gëzhojë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.