Një hulumtim ka gjetur se një në tre persona që janë diagnostikuar me kancer përdorin terapi alternative për trajtim të tij. Mirëpo profesionistët mjekësor bëjnë thirrje për vetëdijësim të njerëzve mbi sigurinë e këtyre praktikave duke sugjeruar që ato mund të interferojnë me trajtimin mjekësor të kancerit dhe të sjellin dëme, transmeton Gazeta Express.
Në vitin 2018, Instituti Kombëtar për Kancerin ka arritur në disa statistika sipas së cilave 1.735.350 njerëz në SHBA mund të diagnostikohen nga kanceri dhe po atë vit 609.640 prej tyre të humbin jetën si pasojë.
“Të diagnostikohesh me kancer mund të jetë një shok i vërtetë”, tha Dany Bell, një këshillues specialist mbi trajtimet e kancerit. Shumë prej personave që diagnostikohen me kancer, kanë gjetur mbështetje edhe në metoda alternative të luftimit të tij.
Sipas disa të dhënave njerëzit që shfrytëzojnë këto metoda alternative, siç janë: joga, meditimi, akupunktura, barnat bimore dhe suplementet, as nuk konsultohen me profesionistë. Dr. Sanford dhe kolegët e tij janë mbështetur në të dhëna të publikuara në kuadër të hulumtimit të tyre, sipas të cilave ata që kanë përdorur këto metoda alternative nuk kishin pasur informacione mbi to.
Të brengosur për këtë fenomen, Dr. Sanford dhe ekipi i tij kishin analizuar informacione nga Qendra e Kontrollimit dhe Parandalimit të Sëmundjeve. Sipas rezultateve, një në tre persona gjatë trajtimit të tyre kishin përdorur mënyra alternative të shërimit. Suplementet bimore ishin më të përdorurat.
Mirëpo, pse suplementet mund të jenë të dëmshme?
“Përderisa, nuk rekomandohen nga ndonjë profesionist mjekësor, unë do të këshilloja shmangien e tyre nga përdorimi, sidomos për njerëzit që janë duke bërë kimioterapi”, tha Dr. Nina Sanford. Nëse një pacient është duke bërë kimioterapi si pjesë e terapisë kundër kancerit, atëherë ata duhet të kenë parasysh që përdorimi i këtyre metodave të tjera mund të pengojë efektin dhe mund të përfundojë me pasoja.
Edhe pse mjekët janë të fokusuar në efektin e dëmshëm të suplementeve, ata sugjerojnë që joga dhe meditimi mund të kenë efekt të mirë, duke i lehtesuar sado pak simptomat e kancerit. “Unë vazhdimisht i këshilloj pacientët me kancer, të bëjnë aktivitete fizike duke përfshirë edhe joga, për shkak se kjo ua rrit energjinë atyre”, tha Sanford.