Institucionet e Kosovës nuk do të procedojnë me miratimin e Ligjit për shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, pa harxhuar fillimisht përpjekjet që ky hap të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese.
Ndryshimi i formës juridike – ligjore për themelimin e Forcave të Armatosura, ka pasuar sugjerimet e NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Me tërheqjen e përkohshme nga ligji për rolin dhe misionin e ri të Forcës së Sigurisë së Kosovës, është pajtuar edhe vet iniciuesi i tij, presidenti Hashim Thaçi.
Gjatë një debati të organizuar nga Lëvizja Fol, Thaçi tha se formimi i ushtrisë së Kosovës nuk kundërshtohet nga NATO dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por ka dallime për formën dhe mënyrën e themelimit. Andaj, ai tha se do t’u jepet edhe një rast ndryshimeve kushtetuese.
“Konsideroj që institucionet tona ende kanë në dispozicion kohën e mjaftueshme që bashkërisht të bëjnë edhe një përpjekje të fundit që të sigurojmë përkrahjen e të gjitha komuniteteve për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, sepse unë konsideroj se ky është opsioni më i mirë i mundshëm”, ka thënë Thaçi.
Hapat në vijim, ka nënvizuar Thaçi, do të përfshijnë bisedimet me serbët e Kosovës që edhe ata të jenë pjesë e procesit të ndryshimeve kushtetuese dhe themelimit të Forcave të Armatosura.
Por, nëse dështojnë sërish përpjekjet për t’i bindur serbët, ai tha se projektligji, të cilin ia ka proceduar Kuvendit, do të mbetet në tavolinë si mundësi rezerve.
“Ne do të punojmë për ndryshime kushtetuese, sepse është në interes të vendit, në interes të të gjithëve. Por e theksoj, askush nuk mund të vë veto për themelimin e ushtrisë së Kosovës. Iniciativa ligjore mbetet në agjendë”, ka thënë Thaçi.
Çështjen e transformimit të FSK-së në forcë me mision ushtarak, qoftë edhe përmes ligjit, e kishte shtyrë fillimisht deputeti opozitar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj.
Ai thotë se formimi i ushtrisë përmes amandamentimit të kushtetutës është opsioni më i preferuar. Por, qoftë në variantin e parë apo të dytë, transformimi duhet të nis këtë vit, thekson Haradinaj.
“Unë jam ithtar i asaj që ky vit të jetë vit i ushtrisë. Kurse forma dhe metodat se si do të transformohet FSK, për mua është sekondare”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Daut Haradinaj.
Pas kthimit të Listës Serbe në institucionet dhe Kuvendin e Kosovës është aktualizuar çështja e arritjes së një marrëveshje me këtë subjekt politik, ku do të përfshiheshin votimi i demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe ndryshimet kushtetuese. Kurse si shpagim, institucionet e Kosovës do të ndërmerrnin hapa të shpejtuar drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Por, pazare të tilla politike, i kundërshton ashpër deputeti Daut Haradinaj. Ai ka thënë se këto janë procese e vendime të ndara.
“Transformimi i FSK-së buron në Pakon e Ahtisaarit, ndërsa rreth Asociacionit, mendoj që përgjigjen më të mirë e ka dhënë Gjykata Kushtetuese e cila ka gjetur shkelje në 23 nene. Ushtria është çështje e brendshme e jona dhe duhet të trajtohet ndaras nga të gjitha temat tjera, sepse është gabim fatal nëse dikush tenton të bëj koncesione”, ka theksuar Daut Haradinaj.
Sidoqoftë, presidenti dhe institucionet e Kosovës, tashmë kanë një dakordim në parim që t’i përfillin rekomandimet dhe sugjerimet e NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara që transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese.
Njëherësh, koalicioni aktual, është zotuar se do t’i përmbushë edhe dy obligimet dhe zotimet që i ka dhënë para faktorit ndërkombëtar, ku bëjnë pjesë themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi.
Vetëm pasi që t’i përmbyllin këto tema, besohet se subjektet politike do të mund të hapin edhe kapitullin e zgjedhjeve, për të cilat tashmë është pozicionuar në parim pjesa më e madhe e spektrit politik. (REL)