Tërmeti në Shqipëri: 1.07 miliard euro nën rrënoja

 Dëmi i 26 nëntorit, u ka kushtuar shqiptarëve 1.07 miliard euro, ose diçka më shumë se 10 % e prodhimit të përgjithshëm kombëtar. Në fakt një shifër e tillë, ishte zbuluar qysh herët nga Kryeministri Rama dhe ministri i rindërtimit Ahmetaj, por dje këto shifra janë pranuar dhe nga ekspertë të BB dhe Kombeve të Bashkuara në raportin e gjetjeve të tërmetit. Ky raport do i prezantohet më 17 shkurt konferencës së donatorëve në Bruksel. Raporti është hartuar nga të dhënat e dërguara nga ekspertët që u ngarkuan nga qeveria për të evidentuar dëmet e tërmetit të 26 nëntorit, që shkaktoi jo pak por 51 viktima.

Sipas Raportit të paraqitur vetëm për rindërtimin e shtëpive do të duhen jo pak por më shumë se 662 milionë euro, ku pjesa më e madhe do i shkojë Tiranës dhe Durrësit, përkatësisht me nga 214 milionë për Tiranën dhe 240 milionë euro për Durrësin vetëm për banesat. Nga raporti del se 11 mijë shtëpi janë prishur, ose janë dëmtuar rëndë në Tiranë, Durrës, Lezhë dhe Krujë, ndërsa 83 mijë të tjera janë dëmtuar pjesërisht ose janë lehtësisht të riparueshme. Raporti evidenton se nga tërmeti i nëntorit të kaluar janë prekur rreth 202 mijë persona, nga të cilët të prekur direkt janë 47 mijë dhe të prekur indirekt janë 155 mijë. Janë zhvendosur 17 mijë persona, ndërkohë që tërmeti ka lënë pas 51 viktima dhe 913 të plagosur. Pra, me pak fjalë, në faturë janë futur të gjithë ata që kanë qoftë dhe një krisje të lehtë në shtëpinë e tyre, dhe që me shumë gjasë tashmë janë riparuar nga vetë qytetarët. E thënë më thjesht, kushdo që ka raportuar pranë organeve qeveritare merr ose jo shpërblim për dëmet e tërmetit, është futur në faturën financiare, që do u paraqitet donatorëve.

Por ajo çka bie në sy janë dhe disa fatura të tjera, të paraportuara më parë në lidhje me infrastrukturën arsimore dhe atë shëndetësore. Për shembull raportohen rreth 321 objekte arsimore të dëmtuara ku 55% e tyre i takojnë vetëm Tiranës, ose diçka më shumë se 165 objekte shkollore. Janë shkolla për të cilat kreu i Bashkisë, ka kohë që trumbeton për rikonstruksionin e tyre, dhe tashmë duhen dhe rreth 50 milionë euro të tjera, për t’u riparuar ose ndërtuar nga e para. Një shumë jo e vogël, po të kemi parasysh se prej pesë vjetësh, shqiptarët i paguajnë Bashkisë së Tiranës dhe taksën e arsimit, taksë që u vendos sapo Erion Veliaj mori bashkinë në 2015. Dëme të tjera, në një shumë të konsiderueshme tërmeti ka shkaktuar dhe në ndërtesa qeveritare dhe administratë lokale, ku fatura shkon jo pak por në rreth 33 milionë euro. Këto janë futur si dëme në infrastrukturë, ku p.sh. janë dëmtuar dy diga, një burg, 50 rrjeta mbrojtëse rrugësh dhe pjesa tjetër, ka të bëjë me 42 ndërtesa të administratës lokale, dhe 33 të tjera zyra të administratës qendrore. Luigi Soreca, i pranishëm në publikimin e faturës së dëmeve nga tërmeti pohoi se në konferencën e donatorëve më 17 shkurt në Bruksel do të marrin pjesë përfaqësues nga 100 vende të botës. “U bë një vlerësim i plotë i nevojave dhe tani është faza e tretë e rindërtimit. Ky dokument do të ndahet me ndërkombëtarët që mezi po e prisnin për të kuptuar se çfarë fondesh do të ishin. Nevojat janë mjaft të mëdha deri në shifrën e 1 miliard eurove. Konferenca do të bëjë bashkë përfaqësues nga më shumë se 100 vende” -tha Soreca.

 Specialistët e ndërtimit dhe ekonomisë e kanë vlerësuar si tejet të fryrë faturën që do i paraqitet konferencës së donatorëve. Për Besnik Aliajn, po të marrësh parasysh koston e ndërtimit, fatura nuk duhet t’i kalojë 500 milionë euro. “Nuk na është vënë ende në dispozicion një metodologji në lidhje me përllogaritjen që është bërë, por ama disa shifra kanë dalë deri më tani. Sido, që ta kthesh po të marrim parasysh koston e ndërtimit mendoj se fatura nuk i kalon më shumë se 500 milionë dollarë. Pjesën tjetër nuk e di se nga e gjen qeveria. Por në rast se do kishim një metodologji vlerësimi, ndoshta do të flisnim më ekzaktësisht për këtë gjë” -thotë Aliaj. Qeveria kishte premtuar se për ndërtimin e banesave, do të zbriste taksat, vlerën e tokës, dhe në një rast të tillë sipas ekspertëve kostoja nuk shkon më shumë se 300 euro për metër katror. Duke pasur parasysh se pavarësisht shifrave, shumica dërrmuese e shtëpive (atyre të dëmtuara rëndë) kanë vetëm riparime, atëherë llogaritë ngado që ta kthesh nuk dalin. Edhe eksperti i ekonomisë Artan Hoxha, mendon se fatura e dëmeve të Tërmetit është e fryrë, sidomos kur flasim për rikonstruksion banesash. “Që të justifikohen 1 miliard euro, do duhet që të jenë shembur totalisht 50 mijë shtëpi e apartamente me vlerë 50 mijë euro secili. Ose të jenë dëmtuar seriozisht rreth 50 mijë apartamente me një dëm prej 20 mijë euro, që është sa 40 % e vlerës së apartamentit. Kur flas për apartamente 50 mijë eurosh e kam fjalën për 100 metra katror me një çmim mesatar që mund ta gjesh në periferi të Tiranës, por a është kjo vlera dhe në Thumanë, Laç, Lezhë apo Durrës për këto shtëpi? Pra, është një vlerë e ekzagjeruar e asaj çfarë ka ndodhur, dhe mendoj se vlera është shumë më e vogël se aq, në kuptimin e dëmit fizik të godinave”, shprehet Hoxha.

 Në faturën e dëmeve është futur çdo gjë, dhe nuk janë marrë parasysh as donacionet e deritanishme. Për shembull Turqia ka premtuar të ndërtojë 500 banesa nga fillimi. Në raport i cili është hartuar sipas PDNA, metodologji standarde për vlerësimin e dëmeve në bashkimin evropian, janë futur dhe faturat e këshillimit psikocial, apo koordinimi i situatës së emergjencës. Sipas raportit, të gjitha këto që janë detyrë e qeverisë dhe strukturave përkatëse kanë pasur një kosto prej 623 mijë eurosh, ose dhe humbjet e biznesit, siç është fitimi i munguar apo rënia e numrit të turistëve nga të cilat ekonomia ka humbur rreth 1.9 milionë dollar. Në fakt kur flasim për dëmet në infrastrukturë janë futur pothuajse të gjitha ndërtesat shtetërore, dhe i habitshëm është fakti se nuk ka asnjë ndërtesë të sektorit privat të dëmtuar. Për shembull në arsim, janë dëmtuar 321 shkolla, kopshte dhe çerdhe, dhe nga totali janë vetëm 17 që i takojnë sektorit privat që janë dëmtuar shumë lehtë. Në shëndetësi, raportohen të dëmtuara rreth 11 spitale, 22 qendra primare shëndetësore dhe 10 qendra shëndetësore, në aksin Tiranë, Durrës, Lezhë por nga këto asnjë nuk i përket sektorit privat. Në këtë rast, ose kemi të bëjmë me abuzim me tenderat gjatë rikonstruksioneve, ose me shifra të vendosura qëllimisht që të rrisin në mënyrë fiktive faturën e dëmeve financiare, për të cilët shqiptarët do të marrin jo pak por 700 milionë euro borxhe.

 

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme