Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u ankua sot në provizionet e pakos së Ahtisaarit, kur foli për bllokadën që përfaqësuesit serbë në Kuvend të Kosovës po i bëjnë transformimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura, përmes ndryshimeve kushtetuese.
Komentet e Thaçit u bënë në një konferencë kushtuar javës së gruas në Kosovë, në të cilën mori pjesë edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie.
Ndërkohë, diplomati amerikan nuk komentoi çështjen e ushtrisë.
Bashkësia ndërkombëtare është shprehur fuqishëm kundër idesë së Thaçit për t’ia ndryshuar misionin FSK-së përmes ligjit.
Por Thaçi thotë se ideja e tij ka mbështetjen e “shumicës absolute” të kosovarëve.
“Shumica absolute e kosovarëve si shumicë ashtu edhe të etnive jo shumicë, e kanë përkrahur këtë propozim por i kemi pranuar edhe një sërë vërejtjesh nga miqtë e Kosovës dhe kontribuuesit kryesorë të lirisë dhe pavarësisë sonë”, tha ai.
“Jam i lumtur që vërejtjet nuk kane të bëjnë me të drejtën tonë që të kemi ushtri apo të mos kemi, a të jemi të sigurt dhe të mendojmë për të ardhmen e sigurt të fëmijëve tanë, por vetëm për metodologjinë dhe kronologjinë e hapave”, shtoi presidenti Thaçi. /Kallxo.com/