Presidenti i vendit Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj janë ftuar nga dy shtetet e Bashkimit Europian (BE), Gjermania dhe Franca në një takim me udhëheqësit shtetërorë të Ballkanit me qëllim të ‘shkëmbimit joformal të ideve’.
Ndonëse ky takim do të mbahet me 29 prill, ende nuk janë bërë të ditura detajet se kur do të udhëtojnë krerët e shtetit në Berlin.
Presidenca e Kosovës në një përgjigje për Telegrafin nuk ka dhënë ndonjë detaj se kur do të udhëtoj Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në këtë takim.
“Më 29 është takimi. Me datë 28 e lëshojmë njoftimin zyrtar me detajet”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Edhe Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë detaje lidhur me udhëtimin e kryeministrit Ramush Haradinaj në Berlin.
Zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se takimi është paraparë të mbahet pasditen e 29 prillit.
E pyetur se kur do të udhëtoj kryeministri në këtë takim, ajo nuk ka dhënë detaje.
“Takimi është paraparë të mbahet me 29 Prill 2019, pasdite. Detajet se kur udhëton dhe kur kthehet janë çështje të sigurisë që nuk ndahen, por që kryeministri do të jetë në takim, tashmë e kemi konfirmuar”, ka thënë ajo.
Thaçi dhe Haradinaj pritet që të takohen me Kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron.