Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk ka konfirmuar se Kosova e ka mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, në veçanti të SHBA-së, për ndryshimin e draft-ligjit për FSK-në, ndryshime të cilat do t’i jepnin kompetenca të Ushtrisë, Forcës së Sigurisë së Kosovës, njofton “Koha ditore”.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, presidenti Thaçi ka thënë se SHBA-ja dhe bashkësia ndërkombëtare e përkrahin shndërrimin e FSK-së në ushtri përmes ndryshimeve kushtetuese.
“Edhe unë kam punuar tash e tri vite që kjo çështje të kalojë përmes ndryshimeve kushtetuese dhe do të dëshiroja shumë që kjo të ndodhë. Një mbështetje të tillë kemi pasur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga NATO-ja, mirëpo është bërë e pamundur thjeshtë pas deklarimeve shumë të hapura, të qarta dhe të vendosura të Listës Serbe dhe të Beogradit që nuk e lejon dhe e kërcënon Listën Serbe për të mos votuar FSK-në. Kështu që, tash e vetmja mundësi ka mbetur që Kosova të mbetet pa ushtri ose të kalojë në planin B, do të thotë shndërrimin e FSK-së në ushtri moderne”, ka thënë Thaçi në këtë intervistë.
Ai thotë se ky vendim është në autoritetin e tyre dhe thekson t’i kenë informuar të gjithë faktorët relevantë ndërkombëtarë.
“Të gjithë i dëshirojnë ndryshimet kushtetuese dhe do të punojmë deri në momentin e fundit që kjo të ndodhë. Thënë ndryshe, procesi i shndërrimit që ka filluar është institucional, kushtetues e ligjor, është në kuadër të vlerave dhe kornizës Euro-Atlantike, prandaj unë kam besim të plotë se edhe bashkësia ndërkombëtare do të jetë reflektuese në mirëkuptimin e këtij angazhimi shumë të drejtë të institucioneve të Kosovës”, ka potencuar presidenti Thaçi.
Sipas tij, Ushtria e Kosovës nuk po bëhet për t’u angazhuar kundër askujt dhe se askush nuk ka nevojë të ndihet i kërcënuar, përkundrazi, ai tha se “do të jemi faktor i paqes dhe stabilitetit, fqinjësisë së mirë”.
Presidenti i Kosovës deklaroi se këto veprime nuk do ta ndërpresin dialogun me Serbinë i cili do të vazhdojë dhe “do të punojmë për normalizimin e marrëdhënieve”.
“Unë dua gjithashtu të shpresoj që ky do të jetë një mesazh shumë i mirë se Kosova po konsolidohet si shtet i pavarur dhe sovran”, potencoi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.