Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka emëruar dhëndrin e Vlora Çitakut, Edon Canën si Ambasador të Republikës së Kosovës në Republikën e Bullgarisë, me seli në Sofie, raporton Gazeta Blic.
Gazeta Blic e ka siguruar letrën e dekretimit nga ana e presidentit të vendit, Hashim Thaçi.
Në këtë dokument shihet se si Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka dorëzuar CV (Curriculum Vitae), e dhëndrit të Vlora Çitakut, Edon Canës Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Bullgarisë.
Ky është dokumenti i plotë i përkthyer në gjuhën shqipe:
Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës i paraqet komplimentet e saj Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Bullgarisë dhe ka nderin të njoftojë që Qeveria e Republikës së Kosovës propozon të emërojë z. Edon CANA, si Ambasador i posaçëm dhe fuqiplotë i Republikës së Kosovës në Republikën e Bullgarisë me seli në Sofje.
Ministria ka nderin të bashkëngjis këtu një kopje të Curriculum Vitae të z. Edon Cana dhe të kërkojë me mirësi një marrëveshje për emërimin e tij.
Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës do të donte ta shfrytëzonte këtë mundësi për të riafirmuar respektin më të lartë ndaj Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Bullgarisë.
“Gazeta Blic”, ka tentuar të kontaktojë me Këshilltarin e Ministrit të Punëve të Jashtme, Jetlir Zyberaj për ta pyetur në lidhje me rastin, por ky i fundit nuk ka qenë i qasshëm.
Kujtojmë se për emërimin e çdo ambasadori, fillimisht duhet dërguar propozimin në Kuvend dhe pastaj ky propozim të kalojë në Komisionin për Punë të Jashtme.
Edon Cana më parë ka pasur gradën e ‘Ministrit Këshilltarë” në Ambasadën e Kosovës në Francë, gjegjësisht në Konsullatën e Kosovës në Strasburg.