Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka bërë me dije se e mbështet iniciativën e deputetëve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.
Ai ka thënë se do ta nënshkruajë ligjin për këtë çështje sikurse çdo ligj që ka nënshkruar si president deri më tani.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Thaçi ka thënë se askush nuk duhet t’u frikësohet iniciativave qytetare.
Sipas tij, veprimet ligjore dhe kushtetuese mund të jenë të papëlqyeshme apo zhgënjyese, por nuk i prishin raportet me ShBA-në, BE-në dhe NATO-n.
Thaçi ka ritheksuar se Gjykata Speciale është padrejtësi historike, por e ka shtyrë përpara për hir të ruajtjes së partneritetit me SHBA-në, NATO-n dhe BE-në.
Sipas tij, krijimi i Speciales më tepër ka qenë lojalitet i Kosovës ndaj propozuesve sesa ka qenë i nevojshëm dhe bindje se duhet të ndodhë diçka e tillë.
Prandaj, presidenti Thaçi ka thënë se ky lojalitet i Kosovës nuk duhet të keqpërdoret.
Sidoqoftë, bazuar në raportin e publikuar nga organizatat joqeveritare, i cili është i bazuar në hulumtim të opinionit, 51 për qind e shqiptarëve të Kosovës janë shprehur të gatshëm të protestojnë në rast se Gjykata Speciale i akuzon ish-drejtuesit e UÇK-së.
Madje, 36 për qind e tyre, janë shprehur se do të ishin në gjendje të vepronin për ta parandaluar ndjekjen e ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
Perceptimi publik për sigurinë e dëshmitarëve është i ulët. Rreth 82 për qind e serbëve dhe 49 për qind e shqiptarëve të anketuar, besojnë se nuk ka siguri për të dëshmuar në Gjykatën Speciale.