Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për media ku ka ripërsëritur qëndrimin e tij për transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës.
Thaçi i është përgjigjur direkt NATO-s dhe SHBA-së për shqetësimet lidhur me transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës duke thënë se kjo iniciativë nuk është e njëanshme dhe FSK është plotësisht e gatshme për t’u bërë Ushtri.
“Republika e Kosovës nuk po bën asnjë hap të papritur, nuk po bën asnjë befasi. Asnjë veprim të njëanshëm apo të pa koordinuar, asnjë veprim anti-ligjor apo antikushtetues. Asnjë veprim që do të konsiderohej rrezik për paqen në Kosovë apo rajon. Kosova po ecën në një proces siç kanë ecur shtetet tjera të rajonit. E vërteta është kjo: Shteti i pavarur i Kosovës thjesht po bën një akt ligjor dhe kushtetues që është themel i funksionimit të çdo shteti demokratik në botë. Ne si institucione demokratike të shtetit të pavarur dhe sovran kemi vendosur që FSK-së t’i japim misionin dhe detyrat e një ushtrie profesionale, moderne, multietnike që ka për detyrë mbrojtjen e shtetit. Askush nuk mund ta kontestojë këtë, duke përfshirë edhe shtetet mike, NATO-n dhe anëtarët e saj. Këtë e ka kundërshtuar vetëm një shtet dhe ajo është Serbia. Aktualisht i vetmi kërcënim për paqen në rajon është rritja e ndikimi të Rusisë në rajon dhe numri i aeroplanëve dhe bazat ushtarake në Serbi. Këtij kërcënimi duhet t’i shtojmë edhe kërcënime që vijnë elementë terrorist, ku Kosova vazhdon të jetë kampion në rajon për luftën e pakompromis kundër terrorizmit”, ka thënë Thaçi. “Pres nga NATO që të jetë e vetëdijshme për këto rreziqe konkrete dhe të mos shqetësohet për transformimin e FSK-së duke ditur se FSK është trajnuar pikërisht nga NATO dhe shtetet anëtare të NATO-s. E thash një gjë të tillë si përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj shqetësimeve të ngritura nga NATO, sekretarit të NATO-s dhe SHBA-së. Ai më tha se gjoja se NATO e konsideron iniciativën tonë si veprim të njëanshëm. Kjo nuk qëndron. Në asnjë rrethanë sepse për tri vite me radhë jemi munduar që të bindim edhe deputetët serbë që të votojnë për një gjë të tillë, por Serbia vazhdon të mbetet kundër”, ka thënë Thaçi.
Thaçi në konferencën për media ka thënë se transformimi i FSK-së në Ushtri të Kosovës do të shërbente për ruajtjen e paqes në rajon dhe në botë “sa herë që Kosovës i kërkohet të japë kontributin e saj”.
Presidenti i vendit po ashtu ka falënderuar kryesinë e Kuvendit për procedimin e iniciativës dhe ka shprehur besimin se edhe kryeministri Isa Mustafa do të mbështesë draftligjin dhe do ta trajtojë atë në afatin e caktuar ligjor.
“Në këtë periudhë i gjithë spektri politik në Kosovë, përfshirë edhe shoqërinë civile e qytetarët duhet të jemi plotësisht të bashkuar për të përmbyllur këtë proces, që tërësisht varet nga institucionet shtetërore tonat. Projektligji për Ushtrinë e Kosovës e ka unifikuar spektrin politik të Kosovës dhe ka forcuar besimin e qytetarëve në institucionet tona për të forcuar dhe konsoliduar republikën tonë. Të gjithë aktorët të përfshirë në këtë proces duhet të përkushtohen plotësisht për të përmbyllur në mënyrën e duhur”, ka shtuar më tej ai.
Duke folur për mungesën e votave nga Lista Serbe ai ka thënë se ky problem ekziston qe disa vite dhe se ka kërkuar nga partnerët e Kosovës që të bindin këta deputetë për ndryshime kushtetuese dhe ligjore.