Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar ndaj deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, pasi ky i fundit ditë më parë e ka kërcënuar Serbinë me luftë, nëse vëllai i tij, Ramush Haradinaj, ekstradohet në Serbi.
Duke e kritikuar paralajmërimin për luftë të lëshuar nga Haradinaj, Thaçi ka thënë se “deklaratat kërcënuese ndaj etnive të tjera joshqiptare, nxisin mllef, urrejtje dhe hakmarrje”, dhe se e kthejnë vendin “në të kaluarën e hidhur”.
Presidenti ka shtuar se deklaratat e tilla po ashtu “bllokojnë dialogun për normalizim të marrëdhënieve, vëjnë në pikëpyetje pajtimin e domosdoshëm dhe perspektiven e Kosovës evropiane dhe shumetnike”.
“Nuk kemi lejuar një gjë të tillë as gjatë luftës dhe nuk do të lejojmë që të ndodhë as tani, sepse askush nuk e dëshiron”, ka shkruar Thaçi në faqen e tij zyrtare në Facebook.