Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar sot kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, me të cilën ka biseduar për gatishmërinë e këtij institucioni për të organizuar zgjedhje të parakohshme, nëse për këtë do të shfaqet nevoja.
Presidenti Thaçi ka theksuar se në përputhje me obligimin kushtetues që del nga Neni 95, do t’i shterojë të gjitha mundësitë që në konsultime me partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës të gjendet një përgjigje për realitetin e ri politik.
“Nëse partitë politike nuk janë në gjendje t’i japin përgjigje këtij realiteti të ri politik në një afat të arsyeshëm kohor, jam i gatshëm t’i shpalli menjëherë zgjedhjet e reja”, ka thënë presidenti Thaçi, shkruan lajmi.net.
Ai ka shtuar se nga kryetarja Daka është njoftuar se KQZ-ja është e gatshme t’i organizojë zgjedhjet e parakohshme në çdo kohë.
Presidenti Thaçi ka theksuar se është thelbësore që Kosova të ketë qeveri të re, funksionale, efikase, sa më gjithëpërfshirëse dhe sa më shpejtë, për t’i çuar përpara proceset e rëndësishme.