Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot e ka pritur Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, me të cilin ka biseduar për avancimin e marrëdhënieve ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe NATO-s.
Në takim me sekretarin Stoltenberg, presidenti Thaçi ka vlerësuar lart punën e KFOR-it në Kosovë, duke thënë se me përkushtimin e tyre kanë arritur që të jenë institucioni më i besueshëm për qytetarët tanë.
“Kosova e vlerëson shumë rolin tuaj dhe gatishmërinë e shprehur për të krijuar një bazë për rritjen e bashkëpunimit tonë. Shteti ynë mbetet i përkushtuar për avancimin e marrëdhënieve me NATO-n, si në rrafshin politik, ashtu edhe praktik”, thuhet në një komunikatë për media të Presidencës së Kosovës.
“Aspirata e vetme e Kosovës mbetet anëtarësimi në BE dhe NATO”, shtoi ai.
Presidenti Thaçi dhe sekretari Stoltenberg kanë biseduar edhe për angazhimin e autoriteteve kosovare në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit fetar, për Forcën e Sigurisë së Kosovës, por edhe për dialogun me Serbinë dhe raportet fqinjësore me shtetet e Ballkanit Perëndimor.