Institucionet e Kosovës nuk duhet të kenë poste për njerëz nën hetime, ka deklaruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
“Njerëzit nën hetime, të mos lejohen jo vetëm të marrin poste publike, por as të përfshihen në listat zgjedhore”, citon REL Thaçin.
Këto komente,ai i bëri në konferencën “Lansimi i programit të Fondacionit Westminster për Demokraci në Kosovë”.
Synojmë që në Kosovë të kemi parti politike gjithëpërfshirëse e transparente, tha Thaçi.
Nisma e tij për miratimin e një kodi për dekriminalizimin e skenës politike në Kosovë, është mbështetur edhe nga ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Ruari O’Conell. Ai tha se sondazhet tregojnë se partitë politike janë më së paku të besueshme nga qytetarët.
“Ky fakt, është mjaftë shqetësues për Britaninë e Madhe. Andaj, ne kemi ofruar eksperiencën tonë që partitë politike të bëhen më përgjegjëse dhe transparente dhe së bashkua ta luftojnë të keqën”, ka thënë O’Conell.
“Populli duhet të kërkoj më shumë nga përfaqësuesit e zgjedhur dhe t’i mbajë ato llogaridhënëse”, theksoi ai.
Por, brenda partive politike, vijoi ai, ka njerëz që janë nën hetime për vepra kriminale.
“Si mund të presim që kriminelët të japin llogari qytetarëve të vet”, theksoi ambasadori O’Conell.
“Duhet të kemi parti politike të shëndosha, demokratike e transparente”, theksoi O’Conell, duke u pajtuar plotësisht me nismën e presidentit Thaçi, për miratimin e kodit për dekriminalizimin e skenës politike.
Qëllimi i kësaj konference, u tha se është të ndihmohen proceset demokratike në Kosovë dhe të ndikohet te partitë politike të rrisin transparencën e financimit, llogaridhënies dhe përgjegjësisë para votuesve.