Thaçi: Pa Shqipërinë, s’do ta kishim këtë Kosovë të pavarur

Hashim Thaçi e ka kaluar disa herë kufirin Kosovë-Shqipëri për të mbërritur në Tiranë. Dikur me kureshtje, më pas i detyruar dhe më vonë me një protokoll të mirëfilltë. Kur mbërriti këtë fillimtetori në selinë e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, për herë të parë me statusin e Kreut të Shtetit të Kosovës, 48-vjeçari nga Buroja e Skënderajt i ka kaluar ndoshta si në një film “sorrollatjet” e tij, andej e këtej kufirit.
Në intervistën për “Shekullin”, pak përpara udhëtimit drejt Shkodrës, ku do të vlerësohej me titullin “Qytetar Nderi”, presidenti i Republikës së Kosovës flet qartë për atë që e cilëson si “çimentimi i marrëdhënies mes dy shteteve tona”. Hashim Thaçi e analizon këtë marrëdhënie në nivelin politik, ekonomik e kulturor dhe e rendit si “në përputhje të plotë me aspiratën tonë evropiane”. Ai është i prerë dhe shprehet krejt indiferent për çfarë thotë e mendon Beogradi lidhur me afrimin dhe kontaktet e shpeshta mes dy shteteve shqiptare. Për këtë, Thaçi përmend edhe luftën. “Unë kam luftuar që shqiptarët të vendosin vetë për veten dhe mos të merret leje në Serbi për ato që ne vendosim apo dëshirojmë”, thotë Thaçi.