Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për agjencinë më të madhe të lajmeve në botë “AP”, ka thënë se pretendimi i Serbisë për të ndodhur ndarja e Kosovës nuk do të ketë sukses.
“Është i papranueshëm. Por, në arritjen e marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi, do të punojmë që definitivisht të ndodhë njohja reciproke formale defakto dhe de jure në mes të dy vendeve, si dhe Kosova në fund të anëtarësohet në të gjitha organizatat ndërkombëtare duke përfshirë Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Thaçi.
Sipas tij, nuk do të ketë ndarje, por do të ketë korrigjim të kufijve, që nënkupton respektimin tanimë të kërkesës së institucionalizuar të Luginës së Preshevës me Kosovën.
Ai ka shtuar se ndërkombëtarët janë dëgjuar palët dhe duke lehtësuar dialogun Kosovë-Serbi, Bashkimi Evropian me mbështetje të plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Vlerësoj se korrigjimi i kufijve Kosovë-Serbi dhe marrëveshja finale e njohjes reciproke që do të ndodhë, nëse kjo marrëveshje është e vullnetit të dyanshëm të palëve dhe një marrëveshje e balancuar dhe që nënkupton win-win për të dy palët, atëherë askush nuk mund të jetë kundër”, ka theksuar Thaçi për AP.
Sipas tij, nga muaji Shtator do të ketë një dinamikë të re, e cila do të rezultojë me finalizim në një periudhë katër deri në gjashtë muaj.