Presidenti i vendit Hashim Thaçi sot në Facebook ka përkujtuar masakrat, pa e përmendur që ato i ka bërë Serbia me ushtrinë dhe policinë e vet, në luftën e fundit, nëpër gjithë Kosovën, e në veçanti masakrën e madhe në fshatin Krushë të Vogël, transmeton Koha.net.
“Këto ditë kujtojmë masakrat që janë kryer gjithandej Kosovës, në Anadrini, Dukagjin, Drenicë e Gollak”, ka shkruar ai.
Ky është postimi i tij i plotë:
“Muaji mars gjithmonë na kujton lavdinë e luftës së drejtë, por edhe ditët e rënda nëpër të cilat kemi kaluar dhe humbjet e më të dashurve tanë. Këto ditë kujtojmë masakrat që janë kryer gjithandej Kosovës, në Anadrini, Dukagjin, Drenicë e Gollak. Sot e tërë Kosova bashkëndjen me dhimbjen e familjarëve për jetët e humbura në Krushë të Vogël. Ky fshat është simbol i mbijetesës dhe do të mbetet gjithmonë fshat i rilindur mbi sakrificën e atyre që ranë dhe u flijuan vetëm pse ishin në vendin dhe në shtëpitë e tyre. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të rënët dhe për veprën e tyre në shërbim të atdheut!”.