Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vazhdon të mbetet jofunksional deri në një vendim të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për emërimin e anëtarëve të ri që do të jenë në përbërje të këtij komisioni, vlerësojnë përfaqësues të partive politike në pushtet dhe opozitë, si dhe njohës të zhvillimeve në Kosovë.
Partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës thonë se që moti i kanë dërguar emrat e të propozuarve nga ta, për anëtarë të KQZ-së, por vendimi për emërimin e tyre i takon presidentit të vendit.
Basri Musmurati, sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, që është partneri më i madh brenda koalicionit qeverisës, thotë për Radion Evropa e Lirë se çështja e funksionalizimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, më nuk është në dorën e partive politike.
Megjithatë, ngecja në funksionalizimin KQZ-së, sipas tij, qëndron te kontesti që është krijuar lidhur me përfaqësimin që do ta kenë në këtë komision partitë politike të koalicionit qeverisës.
Në anën tjetër, Ilir Gashi, përfaqësues i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve deri në formimin e përbërjes së re, thotë për Radion Evropa e Lirë, se situata brenda komisionit nuk është e mirë. Kjo për faktin që aktualisht KQZ-ja nuk po mund të mblidhet për t’i kryer detyrat dhe obligimet që dalin nga ligjet dhe Kushtetuta e vendit, madje as përbërja e vjetër.
Në anën tjetër, Isuf Zejna nga organizata joqeveritare Demokracia Plus, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se problemi për funksionalizimin e përbërjes së re të KQZ-së ka lindur për shkak se presidenti Thaçi u ka kërkuar tri subjekteve politike që kanë qenë pjesë e koalicionit parazgjedhor PAN (PDK, AAK dhe Nisma), si dhe më pas Partisë Socialdemokrate (PSD), që t’i propozojnë anëtarët e tyre për KQZ.