Thaçi pritet t’i drejtohet Kushtetueses për ‘afatin kohor’ dhe ‘refuzimin e propozimit’ për mandatar

Kushtetuta e Republikës së Kosovës ka përcaktuar procedura dhe afte kohore të qarta për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, mirëpo jo edhe për formimin e Qeverisë.

Kjo ka bërë që pas çdo palë zgjedhjeve në vitet e fundit, Kosova të përfshihet në ngërçe të njëpasnjëshme politike dhe institucionale.

Prandaj, ata që mburren të marrin merita për kinse hartimin e Kushtetutës së Kosovës apo të vetëquajturit “Baballarët e Kushtetutës”, nuk mund të mburren aspak në këtë situatë të krizës aktuale për formimin e Qeverisë së re.

Sidoqoftë, konstatimi i përbashkët i të gjithë njohësve të Kushtetutës është se ekziston një vakum kushtetues lidhur me procedurat dhe afatet kohore që përcaktojnë veprimet për formimin e Qeverisë se re pas zgjedhjeve parlamentare, si dhe nuk ka rrugë tjetër për të adresuar këtë vakum kushtetues përpos adresimit të kësaj çështjeje nga Gjykata Kushtetuese.

Prandaj, barra kryesore për adresimin e kësaj çështjeje tek Gjykata Kushtetuese, në këtë fazë të formimit të institucioneve të reja, i takon Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili është garantues i funksionimit demokratik të institucioneve.

Nga burime të afërta me Presidencën konfirmohet se Zyra e Presidentit tashmë ka filluar përgatitjen e materialit, përkatësisht pyetjeve adekuate për ta adresuar këtë çështje për trajtim nga Gjykata Kushtetuese.

Këtë informacion për IndeksOnline e ka konfirmuar edhe një zyrtar i lartë i Presidencës në kushte të anonimitetit.

Sipas këtij zyrtari, bëhet fjalë për dy çështje thelbësore apo pyetje të cilat pritet t’i adresohen Gjykatës Kushtetuese.

“E para ka të bëjë me afatin kohor në dispozicion të partisë apo koalicionit fitues për të propozuar tek Presidenti i Republikës së Kosovës kandidatin për Kryeministër apo mandatarin për formimin e Qeverisë së re. Pra, pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, Gjykata Kushtetuese duhet të përcaktojë një afat kohor të caktuar dhe të arsyeshëm brenda të cilit partia apo koalicioni fitues duhet të jetë i obliguar për të propozuar kandidatin apo kandidaten e vet për Kryeministër/Kryeministre për formimin e Qeverisë së re. Ndërsa, çështja e dytë, ndërlidhet me situatën se çfarë ndodhë në rastin kur partia apo koalicioni fitues i zgjedhjeve parlamentare refuzon të propozoj tek Presidenti i Republikës së Kosovës kandidatin për kryeministër?”, ka thënë ky zyrtar i Presidencës.

Sipas burimeve të IndeksOnline, presidenti Thaçi pritet t’i kërkojë Gjykatës Kushtetuese interpretim dhe sqarim në këto çështje kah fundi i kësaj jave.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme