Pas akuzave të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, sot gjatë ditës, i cili tha se arrestimi dhe deportimi i gjashtë shtetasve turq nuk mund të jetë bërë pa dijeninë e Thaçit, ky i fundit, i është përgjigjur me akuza tjera.
Thaçi në një konferencë për medie, për Kurtin, tha se ka trajnime e vizita të rregullta mujore në Stamboll.
“Pyeteni atë kush janë ata individë nga Irani që ia financojnë partinë. Nëse nuk mundet as ai të përgjigjet, le të pyet Glaukun ose familjarët e tij. Gjithashtu lideri i Vetëvendosjes duhet të përgjigjet për lidhjet që ka krijuar me njerëzit e Putinit që i kanë instaluar në Ballkanin Perëndimor, dhe takohet nganjëherë me ta”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se edhe ata e dijnë që Thaçi i di këto gjëra, transmeton Koha.net.
Thaçi, tha se njerëzit përreth Kurtit janë ideator të krijimit të organizatës terroriste “Syri i Popullit”.
Thaçi ka komentuar edhe akuzat e fundit që ndodhën mes kryeministrit Ramush Haradinaj dhe deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi.
Kujtojmë se Haradinaj e ka quajtur Selimin “rrenc”, dhe i kishte thënë se ai kishte shpëtuar në luftë mirë pa asnjë ditë burg, e debati i tyre në Kuvend kishte zgjatur mjaft me akuza ndaj njëri tjetrit.
Sot, Hashim Thaçi, duke u ndërlidhur me këtë, tha se Ramush Haradinaj “e paska kursyer Rexhep Selimin”.