Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një postimi në Facebook ka kujtuar 116 civilët e vrarë nga forcat serbe para 19 vjetësh në Studime të Vushtrrisë.
Thaçi me këtë rast ka shprehur përkushtimin e institucioneve të Kosovës për zbardhjen e krimeve.
“Si institucione të Republikës së Kosovës, nuk do të ndalim asnjëherë zërin për zbardhjen e krimeve të bëra nga forcat ushtarake dhe policore serbe. Nuk do të ndalemi deri sa të zbardhet fati i personave të pagjetur. Nuk do të ndalemi deri sa të dalin para drejtësisë autorët e krimeve”, ka shkruar ai në postim.
Presidenti këtë shkrim e ka përmbyllur duke shprehur lavdi ndaj të gjithë atyre që u sakrifikuan për liri.
Kujtojmë se më 2 maj të vitit 1999 në fshatin Studime të Vushtrrisë, brenda dy orëve ishin pushkatuar nga paramilitarët serbë 116 persona që ishin në kolonë për tu shpërngulur në drejtim të Shqipërisë.
© KOHA.