Pas lëkundjeve të fundit të autoriteteve zyrtare mbi Gjykatën Speciale në Kosovë, apo shënimin e kufirit me Malin e Zi, duket se gjërat hynë në rrugë të mbarë, ndërsa Kosova po kremton 10-vjetorin e Pavarësisë.Presidenti Hashim Thaçi tha në një intervistë për Top Channel se marrëveshja për demarkacionin i hap rrugën lëvizjes së lirë në hapësirën Shengen.Kosova angazhohet për plotësim të detyrimeve të tjera të BE-së dhe Thaçi ka një kërkesë të drejtpërdrejt për Jean Claude Junker, president i Komisionit Evropian.
“Junckerit do t’i kërkojmë atë qe kemi diskutuar edhe më herët që të përshpejtohet procesi i integrimit për Kosovën dhe mundësia më e miëe do të ishte integrimi i të gjitha vendeve të Ballkanit Perendimor në të njëjtën kohë”, deklaron Presidenti i Kosovës.
Thaçi thotë se nuk ka asnjë mundësi për ndarjen e Kosovës. Madje, sipas tij, këtë e pranon edhe Serbia, ndonëse jo publikisht.
“Nuk do të ketë autonomi! Nuk do të ketë ndarje! Nuk do të ketë shkëmbim të territoreve. Kosova është vend unik me integritet territorial të respektuar e miratuar ndërkombëtarisht. Në një formë, a në një tjetër Serbia e ka pranuar Kosovën. Unë jam takuar me liderët serbë dhe e di se ata e dinë se ky është vend sovran dhe ky proces është i pakthyeshëm, por askush prej tyre nuk e ka guximin ta thotë publikisht. Pa njohjen e Kosovës Serbia nuk mund të integrohet në BE, sikurse Kosova duhet t’i kryejë obligimet e veta karshi fqinjëve të vet”, vijon ai.Por në raport me Serbinë Presidenti Thaçi mendon se Kosovës, e cila ka kaluar në procedurat e Gjykatësë së Hagës në mënyrë vullnetare, po i bëhet padrejtësi me Gjykatën Speciale. Sidoqoftë Thaçi deklaron se Gjykata Speciale nuk do të shfuqizohet pasi për Kosovën prevalon partneriteti me SHBA dhe BE.
“Jemi të vetëdijshëm se na imponohet edhe pagimi një çmimi për lirinë e vendit, gjë që Kosova është e gatshme. Secili qytetar sot në Kosovë pyet pse nuk u dënua askush në Serbi për vrasjen e 13 mijë civilëve shqiptarë të Kosovës? Pse nuk u dënua askush në Serbi për dhunimin e 20 mijë grave të Kosovës? Pse askush nuk u dënua për kryerjen sistematike të 400 masakrave kundër shqiptarëve në Kosovë? Pse askush në Beograd nuk u dënua për dëbimin e 1 milion qytetarëve kosovare dhe tani del një raport krejt i rrejshëm, saqë na vendosin në një pozitë sikur shqiptarët kanë sulmuar dikë. Ne jemi mbrojtur, kemi zhvilluar luftë për ekzistencën tonë nacionale”, shton ai.