Zyra e Presidentit ka konfirmuar se është liruar nga detyrua e këshilltarit politik të Thaçit, Branislav Nikoliq.
“Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës konfirmon se nuk ka pasur asnjë informacion paraprak dhe zyrtar nga institucionet e sigurisë në Kosovë për përfshirjen e mundshme të Branislav Nikoliqit në aktivitete të dyshimta, për të cilat është raportuar në media”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.
Përkundër kësaj, Zyra e Presidentit thotë se i merr seriozisht raportimet e mediave për përfshirjen e mundshme Nikolicqit në aktivitete të dyshimta, qofshin ato të natyrës kriminale ose që cenojnë sigurinë kombëtare.
“Nisur nga parimi i respektimit të ligjit dhe për t’i dhënë hapësirë autoriteteve të sigurisë që të kryejnë hetime të pavarura për këtë rast, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, bazuar në kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore, ka liruar sot nga detyra e Këshilltarit Politik, Branislav Nikoliq”, thuhet në komunikatë.
Thaçi mbetet i përkushtuar në avancimin e të drejtave të komuniteteve joshqiptare dhe përfaqësimit të tyre në të gjitha nivelet e qeverisë qendrore dhe lokale, bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Rasti konkret është thjesht çështje e sundimit të rendit dhe ligjit.