Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në konferencë për media ka thënë se rekomandimi pozitiv i Komisionit Evropian për heqjen e vizave për Kosovën është një lajm historik.
“Vendimi i sotëm i Komisionit Evropian për të shpallur të favorshëm edhe kriterin e fundit për liberalizimin e vizave është një moment historik. Kjo përbën një ditë historike për vendin tonë”, është shprehur Thaçi, transmeton Koha.net.
Ai ka thënë se ishte një rrugë shumë e rëndë, ndërsa thekson se sot fillon shembja e murit të fundit të izolimit të shoqërisë kosovare.
“Kilometrat e fundit kanë qenë shumë të gjatë dhe të rënda, por jam i lumtur që kemi arritur në cak. Dhe jam i lumtur që së shpejti qytetarët do të lëvizin lirshëm, deri në fund të vitit. Sot, ka filluar shembja e murit të fundit të izolimit të një shoqërie. Lajmi i sotëm e përmbyll një cikël shumë të vështirë dhe rigoroz të kërkesave të Komisionit Evropian. Kjo nuk ka qenë një dhuratë, por meritë dhe mirënjohje të punës së vështirë që kemi bërë së bashku”, është shprehur Thaçi.
Thaçi më tutje ka shtuar se sfida të tjera mund të kalojnë së bashku.
“Vetëm të bashkuar kemi arritur këtë objektivë, dhe të bashkuar mund të arrijmë edhe objektiva të tjera. Përveç lëvizjes së qytetarëve kjo do të ndikojë edhe në lëvizjen e lirë të mallrave. Kosova përveç një vendi aspirues është edhe partner i BE-së. Jemi të vetëdijshëm për sfidat që kemi edhe për çështjen e migracionit. Nuk besoj se kemi kohë shumë dhe mundësi më të mirë që të përfundojmë këtë projekt afatgjatë, për të përfunduar izolimin e Kosovës”, është shprehur ai.