Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka prezantuar sot ekipin përgatitor për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin si hapin e pare drejt konkretizimit të kësaj iniciative.
Presidenti tha se kjo iniciativë ka zgjuar reagime që janë pritur por nuk kanë pritur se do të ketë përkrahje të tillë.
“Që nga prezantimi i idesë kemi studiuar raste të ngjashme nga i tërë globi. Është e qartë se kjo është një iniciativë komplekse me shumë pikëpyetje. Kemi kuptuar që hapat e ndërmarrë janë qenësore për një komision të tillë. Kemi vendosur të lëvizim me maturi. Puna këtu nuk ka përfunduar. Në fakt vetëm sa ka filluar”, tha presidenti, raporton KP.
Përkrahja, sipas presidentit Thaçi, do të jetë e nevojshme edhe në vitet e ardhshme ndërsa tha se kanë pasur dilema dhe frikë nëse do ta merr përkrahjen nga opinioni.
Thaçi përmendi edhe pasojat e luftës ku, sipas tij, pas dy dekadave kur udhëton nëpër Kosovë nuk sheh gjurmë të asaj lufte, por ka plagë ende në zemrat e viktimave.
“Kam formuar komisionin ta mbyllim kapitullin e luftës dhe ta hapim atë të paqes për gjeneratat të cilat vijnë. Te mos lejojmë të përsëriten më dhimbjet e luftës. Ajo që synojmë është që të ndërtojmë një narrativ të unifikuar për të kaluarën tonë”, tha presidenti Thaçi.