Thaçi tregon se çfarë i tha Vuçiqit në bisedën telefonike për ushtrinë

Kreu i shtetit, Hashim Thaçi ka arsyetuar bisedën e tij telefonike me kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për të cilën tregoi vetë edhe në paraqitjen para mediave kur bëri publik Projektligjin për transformimin e FSK-së në ushtri.

“Kam folur atë ditë edhe me sekretarin e NATO-së, edhe me vendet e Quinit. I telefonova edhe Vuçiqit për t’i kërkuar që mos t’i frikësojë deputetët serbë të Kosovës, që mos t’i pengojë ata që të kthehen në Kuvend për të votuar për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, për demarkacionin me Malin e Zi e për themelimin e ushtrisë”, ka thënë Thaçi në një intervistë për RTK.

Biseda e tij me Vuçiqin përmes telefonit nuk mbeti pa u komentuar në vend. Anton Quni, deputeti i LDK-së, e ka quajtur të papranueshëm dhe të lëndueshëm faktin që presidenti i vendit Hashim Thaçi ka folur me kryeministrin serb Aleksandër Vuçiq menjëherë pas iniciativës për transformim të FSK-së në Ushtri dhe një gjë të tillë nuk e ka bërë me kryeministrin e vendit Isa Mustafa.

Ai thotë se ky është gabim i presidentit dhe ai është dashur të konsultohet jo vetëm me kryeministrin Mustafa, por edhe me ekspertë të shumtë për çështjen e Ushtrisë.

“Nga deklarata e Thaçit para mediave lidhur me këtë temë ai ka thirrur në një unitet që të përkrahin idenë për iniciativën e tij. Kjo është që në start e lëndueshme kur dihet fakti që nuk e ka konsultuar fare kryeministrin Mustafa, por ka biseduar me kryeministrin e Serbisë Vuçiq. Kjo është absolutisht e papranueshme. Ka qenë e rrugës që të flasë jo vetëm me kryeministrin, ministrin, por edhe me shumë ekspertë që të kërkojë zgjidhje sepse është iniciativë me interes të lartë nacional”, ka thënë Quni në “Interaktiv” të KTV-së.

Kujtojmë se Thaçi në deklaratën e tij për media të mërkurën kishte thënë se Vuçiqit i ka thënë se Ushtria e Kosovës nuk është kërcënim për askënd.

“Për më tepër, unë si president duke qenë plotësisht i vetëdijshëm për reagime të tilla, qysh dje kam zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Serbisë, për t’i komunikuar atij vendimin tim dhe për t’i bërë të qartë se FSK-ja, as në mandatin e saj të tanishëm dhe as në mandatin e saj të ri, të cilin shpresoj se do ta marrë shumë shpejt, nuk paraqet asnjë kërcënim as për Serbinë dhe as për asnjë shtet tjetër kudo në botë”, kishte thënë Thaçi.

© KOHA.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme