Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë homazhe gjatë ditës së sotme te vendi i rënies së dëshmorëve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë.
Pas homazheve, Thaçi ka folur edhe për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ndonëse nuk ka dëshiruar t’i komentojë deklaratat politike të asnjë lideri.
“Nga ajo që shoh dhe kuptoj aktualisht, maxhoranca ka një fuqi edhe në numra edhe në fuqi politike dhe shoh që është një mirëfunksionim i institucioneve”, theksoi Thaçi fillimisht, raporton Koha.net.
Megjithatë, ai tha se në zgjedhje mund të shkohet në vetëm dy mënyra.
“Nëse kjo maxhorancë e humb fuqinë në Kuvendin e Republikës së Kosovës ose në rast të marrëveshjeve mes tyre”, ka theksuar presidenti i vendit.
Ai tha se si President i Republikës së Kosovës, është i obliguar t’i përmbush obligimet e veta kushtetuese dhe ligjore, por “për diçka të tillë askush nuk është drejtuar në zyrën time, as prej partnerëve të koalicionit e as të partive tjera”.
“Aktualisht jemi duke punuar në përcaktimin e datës së zgjedhjeve në Drenas dhe besoj që nesër ose pasnesër do të konfirmohet data”, ka thënë presidenti Thaçi.