Vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100 për qind ndaj produkteve që vijnë nga Serbia e nga Bosnjë e Hercegovina ka bërë që krerët e partive në pushtet “të cakërrohen” mes vete. Derisa kryeministri Ramush Haradinaj po insiston në mossuspendim të taksës, lideri i PDK-së Kadri Veseli ka paralajmëruar rrëzimin e mundshëm të qeverisë aktualePërplasja mes partnerëve të koalicionit qeverisës ka nisur të thellohet ditëve të fundit. Kryeministri Ramush Haradinaj e kryeparlamentari Kadri Veseli nuk kanë kursyer pa thumbuar njëri-tjetrin as në përvjetorin e 11-të të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Shkak i tërë kësaj është bërë taksa e vendosur ndaj produkteve të Serbisë, për të cilën çështje dy krerët e koalicionit po vazhdojnë të kenë qëndrime krejtësisht të kundërta. Përderisa Veseli po kërkon pezullimin e tarifës, Haradinaj nuk po heq dorë së këmbënguluri në moslargimin e kësaj mase. Si rrjedhojë, i pari i PDK-së para dy ditësh ia përmendi kryeministrit rrëzimin e Qeverisë, timonin e së cilës e mban Haradinaj. Ndonëse sipas tij kjo nuk do të ndodhë për shkak të taksës, Veseli deklaroi se rrëzimi i Qeverisë mund të ngjajë për shkak të interesave të qytetarëve të Kosovës, shkruan Zeri.