Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek, ka bërë thirrje që kundërshtuesit e Demarkacionit të ndëshkohen nëpërmjet votës së qytetarëve, shkruan sot, gazeta Zeri.
Lunaçek, pak ditë para zgjedhjeve, ka konsideruar se nuk duhet të votohen ata të cilët nuk sigurojnë përmbushjen e kushteve për liberalizimin e vizave, Demarkacionin dhe luftimin e korrupsionit.
Mirëpo, të tria blloqet kryesore që tashmë do të garojnë më 11 qershor, koalicioni PAN (PDK-AAK-Nisma), koalicioni LAA (LDK-AKR-Alternativa) dhe LVV (Vetëvendosje), kanë hedhur fajin te njëra-tjetra sa i përket mosliberalizimit të vizave, e rrjedhimisht edhe mosratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi, shkruan gazeta Zeri.
Nga ana tjetër, njohësit e çështjeve politike në Kosovë konsiderojnë se deklarata e Lunaçekut është thirrje direkte për të mos i votuar partitë të cilat kanë penguar ratifikimin e Demarkacionit. Sipas tyre, një gjë e tillë ka të bëjë me qëndrimin personal të Lunaçekur, i cili edhe mund të ndikojë te qytetarët.
Murati: Qëndrimi i Lunaçekut mund të ndikojë te qytetarët
Artan Murati, njohës i çështjeve politike njëherësh edhe hulumtues i lartë në KDI, ka vlerësuar se deklarata e Lunaçekut paraqet thirrje direkte për të mos i votuar ata që kanë kundërshtuar Demarkacionin.
“Thirrja e Lunaçekut është thirrje direkte për të mos i votuar partitë të cilat kanë penguar ratifikimin e Demarkacionit. Mirëpo duhet pasur parasysh, duhet pasur rezerva në interpretimin e kësaj deklarate, kësaj thirrjeje si thirrje personale e saj e jo si thirrje e Parlamentit Evropian ose e Bashkimit Evropian”, ka deklaruar ai.