Një protestë me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, është paralajmëruar të mbahet më 1 nëntor në Prishtinë.
Sipas thirrjes së publikuar, protesta do të nisë në orën 12:00 në sheshin “Skënderbeu”, ku qytetarët ftohen të mblidhen për të shprehur pakënaqësitë e tyre dhe për të kërkuar përgjegjësi politike, transmeton lajmi.net.
Organizatori u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës, duke theksuar rëndësinë e shprehjes së qëndrimeve në mënyrë paqësore. Ai ka bërë të ditur gjithashtu se për organizimin e protestës do të njoftohet Policia e Kosovës.
“Është koha që zëri i qytetarëve të dëgjohet dhe kërkesat tona të shprehen hapur, me dinjitet dhe vendosmëri”, thuhet në thirrjen për protestë.
Qytetarët janë ftuar të marrin pjesë së bashku me familjarët dhe miqtë, si dhe të bartin pankarta e mesazhe përmes të cilave mund t’i shprehin qëndrimet e tyre.
Deri më tani, thirrja është bërë publike nga organizatori, ndërsa protesta pritet të mbahet në datën dhe lokacionin e paralajmëruar./lajmi.net/



