T’ia dimë hallin vetes

Autor: Jakup Krasniqi

Si shkas për këtë shkrim është qasja e disa qarqeve “elitare” të Kosovës për zgjedhjet e sapopërfunduara në SHBA. Nuk kam asnjë dyshim se kombet e vogla, siç është kombi ynë, kanë nevojë të madhe për miq të mëdhenj, të fuqishëm dhe me ndikim në strategjitë vendimmarrëse botërore. Këtë e tregon edhe historia jonë shumëshekullore, që nga koha e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut,  ajo e Ali Pashë Tepelenës e gjithë deri në ditët e sotme.

Por, gjithashtu, historia na mëson se për sigurinë nacionale duhet të mendojmë dhe të investojmë jo pak dije, sa më shumë dashuri e pasuri dhe gjithsesi vendosmëri. Ndërsa qeveritarët tanë gjithë “dijet” e “dashuritë” e tyre i kanë kthyer për pasurim thjesht personal!

Krejt çështja është nëse politika shqiptare është duke menduar e punuar me përgjegjësi për sigurinë kombëtare në perspektivë, derisa kombet e mëdha po orientohen nga siguria nacionale? Atëherë, përse kombi ynë të mos punojë e të mos investojë për sigurinë e gjithë kombit?

Siç pamë këto ditë, ne shqiptarët dimë që t’u shesim mend gjithë botës, madje edhe SHBA-ve, sesi dhe kë duhet të zgjedhin, por nuk dimë që ta mësojmë veten tonë, se ku duhet ta kërkojmë zgjedhjen e duhur për kombin tonë. Ta kërkojmë në përvojën jetësore e urtinë e njeriut tonë të verifikuar për atdhedashuri, apo ta kërkojmë në axhamillëkun e njerëzve tanë, siç e kemi bërë e parë këtyre viteve?! Por, kjo duhet thënë troç, të mos shpresojmë se siguria kombëtare do të na vijë nga ish-strukturat e regjimit të huaj e bashkëpunëtoret e Milloshit!

Gjatë këtyre viteve që jo pa mundim e sakrifica i kemi lënë pas, kryetarë partish e qeveritarë të ndryshëm të hapësirës kombëtare (Tiranë-Prishtinë-Tetovë), kanë pasur takime të ndryshme “vëllazërore”. Po, madje, kanë pasur edhe ca si shumë, madje-madje kemi parë edhe fotografi që na kanë ngjallur emocione të shumta shprese e besimi se, ja, më në fund filloi një epokë e re ndryshimi e progresi! E rezultati nuk po shihet në horizont as përafërsisht nga ajo që qe trumbetuar! Madje, për të ardhur keq, rezultatet nuk po shihen në asnjë sferë të interesit nacional! Por, e njëjta gjë nuk mund të thuhet në mungojnë rezultatet për interesa individuale apo grupore! Ajo që është më e dukshmja, këta “liderë” të politikës shqiptare janë të gatshëm ta mbështesin njëri-tjetrin edhe kur veprimet e tyre mund të jenë krejt të dëmshme për pjesën e kombit që e sundojnë! Madje, këta nuk kanë as gatishmëri të dëgjojnë mendimet dhe argumentet e kundërta për miqtë e tyre personalë (flas nga përvoja ime personale). Ndonëse pozitat që i kanë marrë nga qytetarët, nuk i kanë marrë për t’i mbrojtur interesat e miqve personalë, por interesat e kombit. Kjo logjikë e ndjekur deri më tani ka prodhuar këtë gjendje dhe pa u ndryshuar kjo logjikë, ky reflektim, kjo mendësi, nuk mund të presim rezultate pozitive. Rezultate që i duhen qytetarëve dhe Republikës së Kosovës. Rezultate që, mbi të gjitha, i duhen kombit dhe sigurisë se tij në gjithë hapësirën shqiptare.

Konsideroj që shqiptarët në përgjithësi, pa marrë parasysh se në cilën hapësirë kombëtare jetojnë, logjika e të bërit biznes në politikë nuk krijon siguri kombëtare dhe as zhvillim ekonomik. E kemi parë të krijohen oligarki politiko-financiare e kompani monopoli, nga të cilat goditet rëndë interesi qytetar e kombëtar i shqiptarëve! Oligarki që deri më tani nuk e kemi parë as përafërsisht që të bëjë një investim sadopak serioz për sigurinë kombëtare.

Nuk kam asnjë dyshim që për sigurinë kombëtare mund dhe duhet të ndihmojnë edhe miqtë, por investimi kryesor për siguri, stabilitet e zhvillim duhet të jetë i kombit tonë, të udhëhequr nga politika të tjera kombëtare. Më sfiduese, më përmbajtjesore, më të përgjegjshme… Dhe gjithë këto mund të bëhen vetëm nga njerëz që e duan me gjithë mend kombin! Na duhet një kthjellim goxha i madh për t’ia ditur hallin vetes!

A thua, sa jemi të përgatitur për këtë?

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme