Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson ka thënë, se Rusia duhet fajësuar për përdorimin e armëve kimike në Siri, pas raportimeve se ka dyshime për përdorim të këtyre armëve gjatë kësaj jave afër Damaskut.
Tillerson ka folur sot në Paris, pasi 24 shtete, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Francën kanë lansuar një organizatë të re me qëllim të identifikimit dhe ndëshkimit të atyre që përdorin armë kimike.
Tillerson ka thënë se Rusia është duke shkelur marrëveshjen e vitit 2013 që ka me Shtetet e Bashkuara për largimin e armëve kimike nga Siria.
Ai po ashtu ka thënë se Moska është duke ndihmuar qeverinë siriane për të shkelur Konventën për Armët Kimike, e cila ndalon përdorimin e këtyre armëve.
Tillerson ka thënë se Rusia duhet të heqë dorë nga përdorimi i vetos për rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për t’i mbajtur përgjegjës, përdoruesit e këtyre armëve.
Organizata e re, Partneriteti Ndërkombëtar kundër Pandëshkueshmërisë së Armëve Kimike, tenton të publikojë informacione për sulmet kimike, në mënyrë që t’i emërojë dhe turpërojë fajtorët dhe eventualisht t’i ndëshkojë ata. Përpjekjet e OKB-së për të sanksionuar autorët kanë dështuar, pasi janë bllokuar nga Rusia.
Ministria e Jashtme franceze ka thënë se grupi i ri “në asnjë mënyrë nuk tenton të zëvendësojë mekanizmat ndërkombëtarë apo të kryejë hetime të pavarura”.
Zëvendsministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, ka thënë se iniciativa është “shkelje e drejtpërdrejtë e të drejtave të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike dhe një goditje për platformën e OKB-së”.
Siria kundërshton të ketë përdorur armë kimike, derisa Moska ka thënë se ekstremistët kanë përdorur këto armë në të kaluarën.
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, ka thënë se, “ata që kryjnë sulme me armë kimike, duhet të jenë të njoftuar se e dimë kush janë dhe do të shkojmë pas tyre”.