Tirana “vishet” me folklorin e qyteteve shqiptare

Në Shqipëri është shënuar të enjten “Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore”, ku në Tiranë është mbajtur “Parada e valleve, këngëve dhe kostumeve popullore” me ansamblet e qyteteve të ndryshme të Shqipërisë, por edhe me ato nga Kosova e Maqedonia, shkruan sot Koha Ditore.

Kostumet e larmishme tradicionale nga ansamblet folklorike të Korçës, Lushnjës, Përrenjasit, Pukës, Vaut të Dejës, Vlorës, Himarës, Gramshit, Kërrabës, por edhe ato të ansamblit “Malësori” nga Prizreni, u prezantuan nëpërmjet një parade në sheshin “Nënë Tereza” dhe përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në kryeqytetin e Shqipërisë. Ishte pikërisht Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore i Kosovës ai që e hapi aktivitetin ku qytetarë të shumtë, patën mundësinë të shijonin për disa orë spektaklin që u dhurua. Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, përshëndeti ansamblet e ardhura nga të gjitha trevat shqiptare, ndërsa theksoi se me këtë larmi aktivitetesh po rijetëzojnë trashëgiminë historike dhe trashëgiminë jomateriale shqiptare që, sipas saj, vjen nëpërmjet këngëve, valleve dhe kostumeve popullore.

“Parada e valleve, këngëve dhe kostumeve popullore” ka qenë vetëm njëri nga aktivitetet e Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore.
Në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë është hapur ekspozita ikonografike “Thesare të shpëtuara”.
“Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore” ka hyrë në kalendarin e ngjarjeve kulturore që nga viti 2003.