Aksidenti i rëndë që ndodhi mëngjesin e së dielës në autostradën Bregana-Lipovac afër Slavonski Brod në Kroaci, u mori jetën dhjetë kosovarëve të cilët po udhëtonin me autobus nga Gjermania për në Kosovë.
Mësohet se në mesin e viktimave është edhe një 46-vjeçar nga komuna e Podujevës me inicialet S.Rr.
Kryetari i Komunës, Ardian Gjini, konfirmoi për mediet se Gjakova është ndër më të prekurat nga ky aksident, me katër viktima të konfirmuara deri më tani.
Në mesin e viktimave është edhe 18-vjeçarja nga Krusha e Madhe e cila kishte marrë rrugën nga Austria për në Kosovë.
Vdekjen e 18-vjeçares e ka konfirmuar edhe kryetari i Rahovecit, Smajl Latifaj, i cili bëri të ditur se nga kjo komunë janë shënuar dy viktima në aksidentin tragjik.
Autobusi me targa kosovare ishte nisur nga Gjermania për në Kosovë, por u aksidentua në Kroaci, ku mbetën të vdekur 10 persona, 44 të lënduar dhe 15 prej këtyre janë në gjendje më të rëndë shëndetësore.