Lëvizja BESA ndodhet në prag të kongresit ku organet partiake do të zgjedhin kryetarin legjitim, ndërsa koordinatori i deritanishëm i cili e ka ushtruar edhe detyrën e kryetarit, Bilall Kasami ka bërë të ditur se do të paraqesë kandidaturën e tij. Mirëpo, vendimet e fundit kanë sjellë tensione tek partia më e madhe opozitare shqiptare në Maqedoni. Pas emërimit të Nexhmedin Kahremanit në krye të kësaj lëvizje, janë ndarë edhe taborret të cilat përkrahin njërën apo tjetrën figurë, respektivisht qasje dhe vision që do ta ndjek kjo parti politike në të ardhmen.
Portali Sakte.net kësaj radhe ka zhvilluar një anketë me personalitete të kësaj lëvizjeje, se cilët prej tyre janë më të pëlqyer për opinionin.
Në bazë të votave, më i pëlqyer sesa Bilall Kasami del të jetë Skender Rexhepi – Zejdi. I treti renditet kryetari i porsazgjedhur i Zhelinës, juristi Blerim Sejdiu i cili me punën e tij në muajt e parë më këtë komunë ka arritur të rris simpatinë e bashkëpartiakëve të tij.
Asaf Ademi renditet i katërti, sipas pëlqimeve në portalin Sakte.net. Top 5 përmbyllet me një emër të befasieshëm. Ndonëse larg vëmendjes së mediave dhe paraqitjeve publike, Dr. Bekim Sali gëzon simpatinë e besatarëve dhe për dallim nga të tjerët në listë të cilët janë shfaqur me dhjetra herë në publik, ai pëlqehet nga një masë e konsiderueshme njerëzish.
Sali në të kaluarën përflitej si kandidati potencial i Lëvizjes BESA për komunën e Çairit, mirëpo në momentet e fundit kjo parti vendosi të garojë me nënkryetarin e saj, Zeqirija Ibrahimi i cili e humbi garën karshi Visar Ganiut të BDI-së, duke bërë që kjo parti për herë të katërt të udhëheqë me këtë komunë shqiptare. Garën për komunën e Tetovës e humbi edhe Bilall Kasami kundrejt Teuta Arifit./Sakte.net