Top-deputetët e partive me më së shumti vota

Në zgjedhjet e 11 qershorit shumë kandidatë për deputetë nuk kanë arritur t’i marrin votat e nevojshme për ta siguruar edhe një mandat në Kuvend, pasi që elektorati nuk e ka vlerësuar punën e tyre gjatë mandatit të fundit në legjislativ apo ekzekutiv.

Ndërsa disa nga “prurjet” e reja të partive politike kanë arritur maksimumin e votave, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Ish-deputeti i LDK-së, Muhamet Mustafa, ditë më parë ka dhënë dorëheqje nga funksionet partiake, duke mos qenë i sigurt se ka arritur t’i marrë votat e nevojshme më 11 qershor.

Për dallim nga Mustafa, Vjosa Osmani, e cila ishte lënë poshtë në listën e kandidatëve për deputetë të LDK-së, përkatësisht duke ia rezervuar numrin 81, ka arritur të marrë rekord votash. Jozyrtarisht mësohet se Osmani ka marrë më shumë se 50 mijë vota në zgjedhjet e 11 qershorit.

Vota maksimale nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa mësohet se kanë marrë edhe ish-drejtori i institutit “Riinvest”, Lumir Abdixhiku, Driton Selmanaj, Antoni Quni, Ilir Deda, Mimoza Kusari-Lila, Behgjet Pacolli, etj.

Nga lista e PDK-së, përpos kryetarit Kadri Veseli, vota për t’u bërë deputet ka arritur të sigurojë edhe Mërgim Lushtaku, djali i Sami Lushtakut, Andin Hoti, djali i Ukshin Hotit, Ganimete Musliu, Blerta Deliu, Ramush Haradinaj, Daut Haradinaj, Fatmir Limaj, Zafir Berisha, etj.

Ndërsa nga lista e deputetëve të “Vetëvendosjes”, përpos Albin Kurtit, besimin e elektoratit e ka fituar edhe sekretari Dardan Molliqaj, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, nënkryetari Dardan Sejdiu, etj.

Shkodran Hoti, zëdhënës nga lëvizja “Vetëvendosje”, ka thënë për “Zërin” se ende nuk kanë ndonjë informacion që tregon se cili nga kandidatët ka arritur të marrë më shumë vota.

Gjithashtu i pyetur nëse kandidatët e rinj për deputetë kanë arritur të grumbullojnë vota, ai tha se duhet të kenë marrë vota pasi i kanë dyfishuar votat.

“Jo. S’kemi kuptuar ende asgjë. Sigurisht që do të ketë të rinj, sepse kemi dyfish më shumë si numër”, ka thënë Hoti.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë për “Zërin” se rezultatet që po qarkullojnë në medie janë nga komisionarët e partive dhe të vëzhguesve, por jo të KQZ-së.

“Ato janë rezultate të vëzhguesve dhe komisionarëve, rezultate të përafërta, por rezultatet e vërteta i kemi vetëm ne dhe askush tjetër”, ka deklaruar ajo.

“Rezultatet e kandidatëve për deputetë dalin atëherë kur të dalin edhe rezultatet përfundimtare. Ne nuk i publikojmë veç e veç, por të gjitha së bashku. Pra, rezultatet përfundimtare do të jenë kur të numërohen të gjitha votat me kusht dhe të gjitha votat nga diaspora dhe kur t’i kemi të sakta të gjitha nga secili vendvotim”, ka thënë Daka.

Në anën tjetër Artan Murati, njohës i çështjeve politike, ka thënë se vota drejt kandidatëve të rinj shihet si një shpresë e elektoratit tek ata persona të cilët mund të sjellin diçka më ndryshe.

“Tendenca e votimit të individëve të rinj është shprehur në çdo zgjedhje, duke përfshirë edhe këto të tanishmet, aq sa kemi vërejtur nga rezultatet e tanishme, pasi ende nuk kemi rezultate të sakta, mirëpo nga ato qendra të votimit ku kemi marrë rezultate kemi parë një numër të theksuar të votave, të cilat kanë shkuar për kandidatët që kanë garuar për herë të parë. Kjo është një ndjenjë shprese, të cilën e kanë elektorati i partive politike për t’i parë disa persona të rinj dhe konsiderojnë që mund të sjellin diçka ndryshe”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se qytetarët kanë ndëshkuar ata deputetë të cilët nuk kanë shfaqur performancë të mirë.

“Në vazhdimisht kemi bërë thirrje që qytetarët mund t’i ndëshkojnë deputetët me anë të votës dhe kjo mund të interpretohet edhe si një votë ndëshkuese për ata deputetë të cilët nuk kanë shfaqur një performancë të mirë dhe tani qytetarët e kanë shfrytëzuar mundësinë të votojnë për kandidatët e rinj. Mirëpo, presim që të dalin rezultatet finale dhe ta japim një vlerësim për këtë çështje”, ka thënë ai.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme