Tophanë, banorët akuzojnë fqinjën për mashtrim

Gazetare: Evi Shkopi

Disa nga banorët e ndërtesës “Nikolla Maleshevski 39” në Fushë Tophanë në Shkup, akuzojnë fqinjën e tyre për mashtrim. Sipas tyre, zonja në fjalë e cila  jeton në katin e fundit të ndërtesës u ka kërkuar nënshkrimet, siç pretendojnë ata se u ka thënë, për të bërë riparime që brenda banesave të saj të mos depërtojë ujë nga tavanët. Banorët e revoltuar, thonë se fqinja e tyre i ka përdorur nënshkrimet jo për të bërë rikonstruim, por për të ndërtuar. Ata druajnë nëse bëhet ndërtimi që fqinja e tyre ka nisur, mund të rrezikohet ndërtesa, e cila nga tërmetet ka disa plasaritje. Banorët pretendojnë se për t’u marrë nënshkrimet i ka gjetur kur kanë qenë shumë të zënë me punë, andaj edhe nuk kanë arritur te lexojnë se çfarë në të vërtetë kanë qenë duke nënshkruar. Ata bëjnë akuza edhe më të rënda, duke thënë se zonja i ka dokumentet, por se askush nuk ka ardhur të bëjë inspektimet në terren.

“Sa që tha vetëm kulmin të riparojmë, sepse po më rrjedh ujë brenda. Ne duke i besuar ia dhamë nënshkrimet. Ajo na thotë ku i keni pasur sytë. Isha në punë kur ajo erdhi me veturë për të marr nënshkrimin dhe për të shkuar tek noteri shpejt e shpejt. Në mënyrë selektive na ka ndarë. Dhe i mori ato nënshkrimet 51%. Faktikisht nuk i ka 51, sepse ata që kërkojnë të rindërtojnë, sa e di unë Komuna duhet t’i shohë ato, sepse ato nuk bëjnë pjesë në ato ligjërisht. Faktikisht në letër  ka marrë, por njerëz nuk ka sjellë. Shqetësimi ynë është se kjo banesë nuk është e qëndrueshme. Nuk e di në sa vende është e plasaritur. 12 vite është ndër ujë nga ana tjetër, domethënë ka shkuar një nivel atje”, deklaroi një banor.

U ngjitëm deri në katin e 5-të të ndërtesës ku tek dera na priste zonja, ndaj të cilës fqinjët hodhën akuzat. Ajo na tregoi të dyja banesat ku uji dhe lagështia, siç edhe shihet nga pamjet i kishin shkaktuar shumë dëme. Ajo pretendon se  dokumentet i ka të gjitha në rregull dhe se fqinjët e saj e kanë ditur se çfarë po nënshkruajnë, sepse nënshkrimet siç thotë, nuk i hodhën në letër të bardhë.

“Nuk po bëj kat, po bëj kulm të ulët, ashtu siç është e lejuar. Mund edhe të incizoni që të shihni se çfarë ndodh. Këtu rrjedh çdo gjë, ja siç e shikoni.”
-A keni thirrur ekspert që të kontrollojë nëse ndërtesa është e sigurtë?
“Duhet të sigurosh patjetër leje nga Enti Sizmik.”
“Ja vendimi, i plotfuqishëm.”
Ju thoni se gjithçka është legale dhe se gjithçka është në rregull.
“Po.”
– Përse reagojnë pra?
“Për çfarë arsyeje mund të jetë tjetër? Janë xheloz. S’kanë asnjë arsye tjetër.”

Së bashku me zonjën në fjalë u ngjitem edhe në pjesën ku po bëhej ndërtimi dhe ku mund nga ajo që shihej me sy të lirë, dukej se ndërtesa ishte në nivel më poshtë në njërën anë.
Banorët nuk u përballën me njëri-tjetrin, por ata që akuzojnë thonë se këtë çështje do ta ndjekin edhe ligjërisht, sapo komuna t’u dorëzojë vendimin që i ka dhënë fqinjës së tyre.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme