E përditësuar në 21:45
Në orët e hershme të mëngjesit të 16 marsit, pas një zjarri të madh në një diskotekë në Koçan mbetën të vdekur të paktën 59 persona kurse janë lënduar qindra persona të cilët janë vendosur nëpër spitalet e Shkupit, Shtipit dhe Koçanit.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski para pak çastesh deklaroi se numri i viktimave nga tragjedia në Koçan ka shkuar në 59, derisa numri i të lënduarve është rritur në 155.
Sipas Toshkovski në mesin e viktimave është edhe një polic.
“Deri në ora 11:30, sipas informacioneve të cilat i kemi, kanë ndërruar jetë 59 persona, prej tyre 35 janë identifikuar, nga të identifikuarit, 31 janë nga Koçani, 4 nga Shtipi. Numri i të lënduarve sipas informacioneve që i mora rreth orës 12 është 155 persona, të njëjtit janë në shumë spitale në vend”, tha Toshkovski.
Sipas Ministrit për punë të Brendshme në Maqedoni, Pançe Toshkovski është lëshuar vendim për ndalim për katër persona të dyshuar.
Sipas Ministrit të shëndetësisë, Arben Taravari ka qindra të lënduar, prej të cilëve ka edhe në gjendje kritike. “Deri tani janë 148 pacientë që janë nën kujdes nëpër spitale në Maqedoni. 18 janë në gjendje kritike.
Kryeprokurori Ljupço Kocevski tha se janë duke u lëshuar urdhra për mbledhje të materialeve që do të ndihmojnë hetimin. Në ekipin hetues sipas tij janë angazhuar pesë prokurorë. “Mund t’u garantoj se Prokuroria do të bëjë hetim të shpejtë, do të angazhojmë ekspertë nga të gjitha fushat, që të shohim edhe shkaqet edhe përgjegjësinë”, tha mes tjerash Kocevski.
Drejtoresha e Spitalit të Koçanit, Kristina Serafimova është deklaruar për media pas tragjedisë së ndodhur në orët e hershme të mëngjesit në diskotekën e Koçanit.
“Rreth 70 pacientë janë sjellë menjëherë në spital, ndërsa në mesin e tyre ka pasur dhe të tillë që veçse më kishin ndërruar jetë. Ne si spital, si ekipe mjekësore jemi mobilizuar që të gjithë për të ju dalë në ndihmë dhe kemi kryer mjekimin e nevojshëm, ndaj nga 20 pacientë sa aktualisht i kemi këtu, janë në gjendje më stabile, teksa rastet më të rënda janë nisur për në Shkup dhe Shtip”, tha drejtoresha Serafimova.
Pas zjarrit që shpërtheu mbrëmë në diskotekën “Puls” në Koçan ku po performonte grupi ADN, këngëtari Vlladimir Blazev-Panço ka djegie në fytyrë dhe dorë dhe ndodhet në mbështetje oksigjeni, kanë informuar familjarë të artistit.
Informacionet e para janë se vendi ku është organizuar festa fatale për të rinjtë nuk ka pasur kushte sigurie dhe nuk ka qenë adekuate për pranimin e aq numrit të madh të njerëzve, saqë thuhet se ka pasur, nga 1500-1700 persona.
Sipas gjetjeve fillestare, zjarri u shkaktua nga xixëllonja/spërkatës të përdorura për efekte vizuale skenike, të cilat ndezën pjesën e çatisë prej materiali të ndezshëm” trarë druri”.
Ka folur edhe Marija Taseva, 20 vjeçare, prezente në diskotekë e cila kë thënë, “Të gjithë filluan të vrapojnë jashtë. Të gjithë po përpiqeshin të shpëtonin. Motra ime ka humbur. Nuk mund ta gjejmë në asnjë spital. Tani presim këtu rezultatet për të parë nëse do ta gjejmë, nëse jo, përfundimisht në Shkup. Duke dalë jashtë rashë në tokë dhe të tjerët më shkelnin, thjesht me faqe isha në tokë”, tha Taseva.
Në pres konferencën e dytë, Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, informoi se deri më tani numri i viktimave nga tragjedia në klubin e natës në Koçan ka arritur në 59, ndërsa të lënduarve në 155. Në mesin e viktimave, është edhe një zyrtar policor, i cili natën e kobshme ka qenë në detyrë për të zbuluar drogë dhe persona të mitur në klubin e natës.
Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, në bashkëpunim me Qendrat Ndërkomunale për Punë Sociale në Koçan dhe Shtip, kanë vënë në dispozicion ekipe profesionale për ndërhyrje në krizë, ndihmë dhe mbështetje psikosociale për familjet e të ndjerëve dhe të lënduarve.
“Këto ekipe, të përbëra nga psikologë, punonjës socialë dhe profesionistë të tjerë, janë të gatshëm të ofrojnë mbështetje të menjëhershme dhe afatgjatë për të gjithë ata që po përballen me dhimbjen dhe pasojat e këtij rasti të rëndë.” thuhet në njoftimin e Ministrisë së Politikës Sociale.
Pasdite vonë u konfirumua se në mesin e viktimave në tragjedinë e Koçanit janë edhe 5 anëtarë të grupit muzikor DNK. Filip Stefanovski, Gjorgi Gjorgiev, Sara Projkovska dhe Andrej Gjorgievski 4 anëtarët e grupit muzikor DNK si dhe fotografi i grupit Aleksandar Efremov humbën jetën në tragjedinë e mbrëmshme në diskotekën PULS në Koçan. Lajmin e bënë të ditur anëtarë të grupit DNK të cilët para pak çasteve, publikuan fotografitë e anëtarëve të tyre.
Në këtë ngjarje teragjike jetën humbi edhe futbollisti i Klubit Shkupi. Bëhet fjalë për Andrej Llazarovin. Nga klubi Shkupi në rrjetin social fejsbuk shkruajnë se kjo është një humbje e madhe për klubin dhe shokët e ekipit, ndërsa shtojnë se shoku i tyre, ka humbur jetën duke luftuar për të shpëtuar njerëzit që në momentin e zjarrit tentonin të largoheshin.
Objekti i djegur në Koçan sipas të dhënave publike të Kadastrës ka hapësirë të përgjithshme rreth 360 metra katrorë në një parcelë prej gjithsej 970 metra katrorë. Fletëpronësia, sipas të dhënave të Agjencisë së Kadastrës evidentohet në emër të Millkovski Andon Grozdan, megjithatë nuk dihet nëse emri që figuron në fakt është edhe pronari i objektit. Prej të dhënave të deritanishme, objekti ka pasur dy hyrje-dalje, një kryesor, ndërsa një të cilin e kanë përdorur stafi dhe personat VIP. Informacionet tona flasin se klubi ka funksionuar me licencë të falsifikuar e cila mbante firmën e ish sekretares shtetërore në Ministrinë e Ekonomisë, Razmena Çekiç Duroviq. Funksionin e sekretares shtetërore, Duroviç e ka ushtruar gjatë kohës që me ministrinë ka udhëhequr Kreshnik Bekteshi.
Në një konferencë tjetër Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski deklaroi sot se Licenca për punë e klubit të natës ku ndodhi tragjedia ndërlidhet me mit-marrje dhe korrupsion dhe se sipas tij do të ketë përgjegjësi. Ministri Toshkovski, tha po ashtu se në koordinim me Prokurorinë Publike, kanë më shumë se 20 persona të dyshuar rreth ngjarjes në Koçan.
Në mesin e të arrestuarve bën pjesë edhe ish-sekretarja shtetërore e ministrisë së Ekonomisë, është njëra ndër të ndaluar në lidhje me tragjedinë në Koçan. Bëhet fjalë për Razmina Çekiç nga LSDM, e cila sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, e njëjta ka falsifikuar licencën për punë dhe licenca që i është dhënë vitin e kaluar ka skaduar, por e njëjta ka nënshkruar licenca të falsifikuara.
Alsat mëson se në stacionin policor në Karposh në Shkup, në pyetje po merret edhe ish-ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Kjo sa i përket dhënies së licencave jolegale ndaj objektit në fjalë. Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, paraprakisht informoi se MPB-ja në koordinim me Prokurorinë Publike deri më tani për këtë ngjarje janë të dyshuar mbi 20 persona, prej të cilëve 15 janë në stacion policor.
Pasdite vonë Qeveria e ka nisur seancën e sotme me një minutë heshtje për të nderuar personat që humbën jetën tragjikisht pas djegies së diskotekës në Koçan. Në seancën e sotme të jashtëzakonshme të qeverisë, pas ngjarjes tragjike në komunën e Koçanit, ku 59 persona humbën jetën ndërsa 155 persona morën lëndimet të rënda, qeveria mori vendim për shpalljen e 7 ditëve zie në mbarë vendin. Gjithashtu, në seancën e Qeverisë u mor vendim që detyron Inspektoratin Shtetëror të Tregut të kryejë kontroll të jashtëzakonshëm në objektet hotelierike (klube nate, diskoteka dhe diskoteka të hapura) në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të njoftojë menjëherë Qeverinë për konstatimet e inspektimit në tre ditët e ardhshme, për të përcaktuar nëse ato janë në përputhje me kushtet.
Në ndërkohë në një lidhje direkte nga Koçani, gazetari i Alsat, Zekirija Haxhiu, ka treguar se tashmë janë tërhequr të gjithë trupat e viktimave nga diskoteka e djegur në Koçan.
Situata u bë edhe më e rëndë, kur familjarët e viktimave ishin duke pritur të marrin informacione për më të dashurit e tyre, pasi që, është dhënë Shifra zyrtarë për 59 të vdekur, mirëpo familjarët ende nuk e dinë se a i kanë apo jo gjallë më të dashurit e tyre. Dhe kërkojnë që t’I tërheqin ata. Më vonë situata u përshkallëzua edhe më shumë kur familjarët vazhdonin të qëndronin në oborrin e Spitalit në Koçan duke kërkuar që të afërmit e tyre (viktimat) të mos dërgohen për obduksion.
Situata nuk ishte më e lehtë as në spitalit tjera, aty ku rreth 115 pacientë po trajtohen nëpër klinikat e vendit, 22 pacientë tashmë kanë arritur në klinikat jashtë vendit, ndërsa 6 janë në udhëtim për të arritur për shërim jashtë shtetit, ndërsa planifikohet 47 pacient gjithsej të dërgohen jashtë shtetit.
Në mbrëmje vijuan disa prononcime për media të liderëve shtetërorë. E para ishte Presidentja Gordana Siljanovska Davkova, e cila tha se e dinë dhe e ndjenë që nuk jemi vetëm në këtë tragjedi. Ajo, përveç të tjerash, tha se duhet të ketë përgjegjësi për këtë tragjedi, derisa theksoi se asgjë nuk është më e rëndësishme se jeta e një të riu.
“E di dhe ndjej se nuk jemi vetëm. Lajmëruan të gjithë, jo vetëm fqinjët, por edhe vendet më të largëta. Të lënduarit më rëndë janë në Sofje, në Stamboll, në Greqi, në Serbi për të marrë kujdes të lartë mjekësor. Për këtë ndihmë do të jemi përjetësisht mirënjohës”, tha Siljanovska-Davkova dhe theksoi se askush nuk duhet t’i ikë përgjegjësi dhe nuk duhet t’i shmanget ligjit dhe drejtësisë.
“Të bashkojmë forcat, të mos sakrifikojmë më kurrë për përfitimin e individëve, asgjë nuk është më e vlefshme se jeta e një të riu”, tha presidentja
“Jam thyer dhe më është thyer shpirti”, me këto fjalë e nisi kryeministri Hristijan Mickoski fjalimin e tij pas tragjedisë në Koçan. “Do të ketë hapa dhe vendime me të cilat publiku nuk është mësuar. Por ndryshimet nisin nga ne”, tha kryeministri Hristijan Mickoski në fjalimin e tij sot para opinionit.
“Jam i vendosur dhe do të veproj me vendosmëri. Nuk dua që kjo ngjarje të politizohet, se dikush po përpiqet të bindë një palë tjetër për përgjegjësi. Kjo nuk është një betejë ndërpartiake, kjo është një betejë e të ndershmëve kundër të pandershmëve”, tha Mickoski.
“Në ditët në vijim do të marrim një sërë masash që do të thonë shumë, në luftën për këtë vend dhe në emër të të gjithë viktimave të kësaj tragjedie dhe familjeve të tyre”, tha Mickoski.
Hotelet e Shkupit ofrojnë akomodim falas për familjarët e personave të lënduar nga zjarri në Koçan.
Familjet e të lënduarve dhe viktimave mund të qëndrojnë dhe pushojnë pa pagesë në hotelet në territorin e qytetit të Shkupit. Përkrahje për familjarët e viktimave dhe personave të lënduar kanë shfaqur dhe institucionet e tjera të shtetit, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës thanë që dhe konviktet në qytetin e Shkupit do të jenë në shërbim të familjarëve të prekur nga tragjedia e Koçanit.
Shumë qytetarë janë mbledhur në qendërn e Shtipit, duke bërë kështu homazhe për 59 personat që humbën jetën në diskotekën e cila u përfshi nga zjarri në Koçan, shkruan Alsat. Qytetarët po ashtu, kanë ndezur edhe qirinjë në kujtim të këtyre viktimave, e po ashtu janë vendosur edhe disa fotografi.
Zëvendëskryeministri i parë Izet Mxhiti përmes një postimi në profilin e tij në facebook ka njoftuar për vendosjen e luleve në Sheshin Skënderbeu në Shkup, në nderim të viktimave nga tragjedia në Koçan.
“Sonte, në Sheshin Skënderbeu, vendosëm lule në nderim të jetëve të humbura të viktimave në tragjedinë e Koçanit. Së bashku, e ndajmë dhimbjen e solidarizohemi me njëri-tjetrin. Sonte, në gjuhë të ndryshme flasim, por njëjtë i vajtojmë dhe pikëllohemi për të rinjtë dhe të rejat tona që i humbëm padrejtësisht. Lutjet dhe mendimet tona janë me familjet e viktimave dhe të lënduarit. Ata nuk janë vetëm në këtë dhimbje! Jemi bashkë!”, shkruan Mexhiti në FB./ Alsat.mk