Gazetare: Ajnur Bafqari
Një javë pas tragjedisë me zjarrin në Koçan, disa nga pacientët që trajtohen nëpër spitalet brenda dhe jashtë vendit do të mund të lëshohen në kurim shtëpiak. Drejtori i Klinikës “Shën Naumi i Ohrit”, tha se gjatë javës së ardhshme do të fillojnë lëshimet e para edhe të pacientëve që janë të hospitalizuar në këtë klinikë.
“Për momentin janë të hospitalizuar 10 pacientë, prej të cilëve tek 6 tashmë është kryer transplantimi i lëkurës, sepse ata pacientë ishin me shkallën më të lartë të djegies, shkalla e tretë. Te pacientët e tjerë vazhdojnë fashat e rregullta dhe tashmë në javën e ardhshme, sipas planeve që i kemi aktualisht, edhe pse mund të përsëris se situata mund të ndryshojë nga ora në orë, por planifikohen që gjatë javës së ardhshme të fillojnë lëshimet e para të pacientëve në shtëpi”, tha Nebojsha Nastov, Drejtor i K.U “Shën Naumi i Ohrit”.
Drejtori i Klinikës, Nebojsha Nastov, njoftoi se aktualisht po përgatiten protokolle e po bëhen koordinime mes institucioneve kompetente për kthimin e pacientëve që po kurohen jashtë vendit, pasi këta pacientë pas kthimit, do të vendosen nëpër kapacitetet spitalore në shtet.
“Ata pacientë deri në një fazë të caktuar do të mjekohen jashtë vendit, por në një fazë të caktuar do të vjen periudha kur të njëjtit do të kthehen në shtetin tonë dhe duhet përsëri të vendosen nëpër kapacitetet spitalore në shtet. Për këtë arsye bëhen protokolle, koordinime mes ministrisë së shëndetësisë, ministrisë së jashtme dhe shërbimit për punë të përgjithshme në Qeveri, se di do të shkojë kthimi i pacientëve, varësisht prej ritmit sipas të cilës do të lëshohen pacientët”, shtoi ai.
Numri më i madh i pacientëve të zjarrit në diskotekën “Puls” në Koçan, apo mbi 100, po kurohen nëpër vendet fqinje dhe ato evropiane. Ndërsa në vendin tonë po kurohen dhjetëra të tjerë, kryesisht në Qendrën e Klinikave, në spitalin “8 shtatori” dhe në klinikën “Shën Naumi i Ohrit” në Shkup./Alsat.mk