Gazetar: Suad Bajrami
16 marsi iu shtua datave të zeza apo librit të tragjedive të Maqedonisë. Në vetëm 6 vitet e fundit që nga aksidenti i autobusit të Durmo Turs në Llaskarcë, Spitalit Modular në Tetovë, autobusit të Besa Transit në Bullgari e së fundmi dhe disko-klubit në Koçan, u shuan 134 jetë. Pamjet katastrofike nga vendi i ngjarjes në Koçan, por edhe fytyrat e trishtuara të të lënduarve dhe familjarëve të cilët i kërkonin fëmijët e të afërmit e tyre nëpër spitale, riktheu traumat e shoqërisë.
Disa shkëndija nga fishekzjarrët që ishin ndezur për të nxehur atmosferën, mendohet të ishin shkaktarët e zjarrit që fillimisht ka kapluan tavanin e përbërë nga materiale lehtësisht të djegshme e më pas, tërë objektin. Në klubin “Puls” për një çast ndali pulsi i 59 të rinjve, mes tyre dhe tre të mitur.
Trishtimi i orëve të para të mëngjesit në ahengun ku performoi grupi muzikor DNK, përjetësisht do të mbetet në kujtesën e 450 personave të cilët ishin prezent në diskotekë, derisa mbi 100 prej tyre po edhe sot po luftojnë të mbeten gjallë, nga plagët e marra kur mes tymit, flakës e panikut, derisa kërkonin derën e vetme të klubit.
Pamjet e para, të filmuara nga të rinjtë që argëtoheshin, flasin vetë. Nën avullin e nxehtë të festës, por edhe numrit të madh të të rinjve, lëvizja e tyre drejt dyerve është bërë më e vështirë. Kjo ka çuar edhe në numrin e madh të viktimave, por njëkohësisht edhe të të plagosurve, shumë prej tyre me djegie, e shumë edhe nga shkelmimi nga njëri tjetri në tentativë për t’u larguar.
Institucionet u angazhuan së pari për t’u kujdesur për të lënduarit, e më pas për të nxjerrë para drejtësisë personat përgjegjës.
Objekti, u zbulua se kishte punuar ilegalisht dhe pa i plotësuar kushtet minimale për mbrojtje kundër zjarrit. Për këtë, e kanë ditur të gjitha institucionet në shtet, por askush nuk i ka bërë kontroll. Dyshimet, janë për korrupsion.
Pronari në mënyrë të kundërligjshme ka lejuar të futen më shumë persona se sa numri i lejuar, e në mesin e tyre edhe të rinj nën moshën 18-vjeçare.
Deri më tani 26 persona janë në paraburgim, ndërsa organet hetuese po mbledhin prova në disa pista. /Alsat.mk