Tragjedia në Maliq, kryebashkiaku Gëzim Topçiu shpreh ngushëllimet për viktimat: Do të mbulojmë të gjitha shpenzimet për familjen

Kryetari i Bashkisë së Maliqit, ka reaguar zyrtarisht pas ngjarjes së rëndë që tronditi qytetin e Maliqit, ku humbën jetën Merjeme Azizllari dhe djali i saj i madh 14 vjeç, L. Azizllari, si pasojë e asfiksisë nga tymi në banesën e tyre.


Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ai e cilësoi ngjarjen si “tronditëse” dhe shprehu ngushëllimet për familjarët e viktimave, duke theksuar se Bashkia qëndron pranë tyre në këtë moment të vështirë.

“Në këto momente dhimbjeje të thellë, Bashkia e Maliqit i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe qëndron pranë tyre në këtë situatë kaq të rëndë. Ngjarje të tilla na kujtojnë sa e brishtë është jeta dhe sa e rëndësishme është të jemi pranë njëri-tjetrit në ditë të vështira”, shkruan ai.

gezim topciu maliq

Ndërkohë, burime bëjnë me dije se Bashkia do të mbulojë të gjitha shpenzimet që lidhen me rastin tragjik.

Kujtojmë se vajza e vogël 6-vjeçare, e vetmja e mbijetuar nga tragjedia, është transportuar me urgjencë drejt QSUT-së në Tiranë, ku ndodhet në gjendje kritike për jetën, për shkak të djegieve të shumta në trup.

Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e kësaj të diele (19 tetor) rreth orës 13:30, në bllokun nr. 3, Maliq. Fillimisht u raportua se nëna dhe dy fëmijët e saj kishin mbetur të plagosur, por më pas u mësua se gruaja, Merjeme Azizllari kishte ndërruar jetë si pasojë e asfiksisë brenda në shtëpi.

Më vonë, ndërroi jetë në spital edhe djali i saj i madh, 14 vjeç, ndërsa në gjendje të rëndë si pasojë e djegieve vazhdon të jetë 6 vjeçarja.

Nuk dihen ende shkaqet që çuan në përfshirjen e banesës nga flakët, ndërsa shërbimet zjarrfikëse dhe policia ndodhen në vendngjarje për të shuar zjarrin dhe nisur hetimet mbi rrethanat e incidentit.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme