Myzerim Zeneli vetëm 20-vjeç është njëri prej viktimave që humbi jetën mbrëmjen e djeshme në Velipojë, pas shkëmbimit me armë zjarri mes pronarëve të dy hoteleve.
Dje ishte dita e parë e punës për 20-vjeçarin si kamerier në hotelin “Gocaj” dhe fatkeqësisht dita e parë e punës së tij përfundoi të ishte dita e fundit e jetës.
Gjatë momentit kur dy familjet Ferrcaku dhe Gocaj filluan konfliktin me armë i pranishëm ka qenë dhe 20-vjeçari, i cili ka marrë disa plumba dhe ka humbur jetën.
Ngjarja ka nisur pak pas mesnate mes Kujtim Ferracakut, pronar i restorant “Fantazia” dhe pronarëve të hotelit “Gocaj”, për shezlongët në plazhin e Velipojës.
Si fillim debati ka nisur me fjalë dhe më pas ka degjeneruar në përdorimin e armëve nga të dy palët. Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit kanë mbetur të vrarë Kujtim Ferracaku 59 vjeç, vëllezërit, Xhovani dhe Edmond Gocaj 25 dhe 38 vjeç dhe Myzerim Zeneli 20 vjeç.
Ndërsa të plagosur kanë mbetur Hasan Ferracaku 54 vjeç dhe Elmedin Tyli 17 vjeç, raportohet se 54 vjeçari është në gjendje kritike për jetën.