Në periudhën e ardhshme është planifikuar ndërtimi i 467 banesave sociale në Shkup, Pehçevë, Sveti Nikollë, Vinicë dhe Probishtip, deklaroi sot ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugareski.
Në Shkup është parashikuar ndërtimi i 312 banesave sociale, nga 34 në Pehçevë dhe Sveti Nikollë, 39 në Vinicë dhe 48 në Probishtip.
Pas takimit me drejtorin e SHA për Ekonomizim me Hapësirë Banesore dhe Afariste Hristian Trajkovski, ministri tha se Qeveria fuqimisht është e përkushtuar në zgjidhjen e çështjes së banimit të kategorive më të ndjeshme të qytetarëve dhe për shkak të kësaj në takimin e ardhshëm do të intensifikohen aktivitetet.
Banesat për kategoritë e ndjeshme sociale janë me madhësi prej 35 deri në 45 metra katrorë.
“Bëhet fjalë për banesa të vogla të cilat do të mund të shfrytëzohen me çmim prej 15 denarëve për metër katrorë. Në vijim është harmonizimi i aktiviteteve me ministritë e Transportit dhe Lidhjeve dhe të Punës dhe Politikës Sociale”, deklaroi Trajkovski.
Me ministrin e Punës dhe Politikës Sociale, siç tha, po bisedohet që të gjindet zgjidhje si të rregullohet në mënyrë më të thjeshtë pagesa e kompensimit.
Veçmë kanë përfunduar ndërtesat me 43 banesa sociale në Koçanë dhe me 10 banesa në Makedonski Brod, ndërsa sipas Sugareskit, deri në fund të vitit apo në fillim të vitit të ardhshëm do të shpallet thirrje për shpërndarjen e tyre. Në vijim është ndërtimi edhe i dy ndërtesave në Gostivar me 70 banesa dhe në Strumicë me 41 banesa, të cilat pritet të jen gati vitin e ardhshëm.
“Procedura gjatë shpërndarjes së banesave do të jetë transparente”, tha Sugareski.
Aktivitetet e paralajmëruara janë pjesë e projektit me të cilin deri në vitin 2020 duhet të ndërtohen 33 ndërtesa me 1.741 banesa për kategoritë e ndjeshme sociale. Deri më tani janë ndërtuar 16 ndërtesa me 731 banesa. Projekti zbatohet me bankën për Zhvillim pranë Këshillit të Evropës, me buxhet prej 50.700.000 euro, prej të cilave 50 për qind janë siguruar nga Buxheti i RM-së.