Autor: Bledi Mane
E dini pse më pëlqen zhurma e maturantëve? Sepse më në fund arsimi i lartë do e tkurrë tani e tutje masivizimin grotesk pa cilësi dhe kafenetë e universiteteve do kenë rënie te xhiros ditore. Taksixhinjtë me diploma juridiku dhe gjykatësit me patenta maunesh gradualisht do mbeten specie në zhdukje, por gjithsesi duhet ende kohë.
Sot po u tregoj një sekret të vogël që e kam ditur prej kohësh dhe meqënëse lajmi i ditës mbetet arsimi le ta flasim pa humbur kohë.
Në Parlamentin shqiptar, nëntë nga deputetët kane diploma Juridiku por nuk kane shkuar asnjë ditë në gjimnaz. Pasi mbaruan tetëvjeçaren, u morën me biznese dhe punë të pista e nuk kishin nge as kohë të vazhdonin shkollën e mesme.
Fati u eci, paraja lumë, u kompletuan po vetëm dy gjëra të vogla u mungonin në jetë. Kuptuan që kishin disnivel me të tjerë burra dhe boshllëqet i blenë me lekë. Përfunduan studimet universitare pa mbaruar gjimnazin, por nuk u kursyen. Pa vajtur asnjë dite ne gjimnaz, thjesht korruptuan drejtorët dhe bashkë me numrin e amzës blenë edhe dëftesat e pjekurisë.
Dhe, si qershi mbi tortë për të mbrojtur veten dhe punët e pista, krijuan lidhje me kryetarët e partive politike e ndërkohë emrat e tyre u shënuan në listat për deputetë. Sot janë në Parlament, janë përfaqësuesit tanë.
Dy deputetë pa gjimnaz i ka partia e Idrizit – PDIU.
Ndërkohë, dy deputetë të tillë pa gjimnaz, por me Juridik, i ka partia e Ramës, PS-ja, dhe e mbyll listën PD-ja e Bashës me tre copë.
Mot, në zgjedhjet e qershorit nuk duhet bërë vetëm dekriminalizimi, por edhe deinjorancizimi i deputetëve tanë tranguj e të rrezikshëm!!!