Pjesëtarët e Grupit të Kumanovës dhe avokatët e tyre prej më shumë se një viti janë duke pritur Gjykatën Supreme të caktojë seancën ankimore dhe të prononcohet për ankesat e tyre lidhur me gjykimin e lëndës në Gjykatën e shkallës së parë dhe atë të Apelit, shkruan gazeta LAJM. Sipas avokatit Naser Raufi, Supremja po e zvarrit shqyrtimin e ankesave për këtë lëndë si për asnjë rast tjetër.
“Ne si palë mbrojtëse, si avokatë prej para 1 viti kemi dorëzuar ankesat. Sa jam i informuar, kohë më parë lënda ishte kthyer në Gjykatën e Apelit pasi nuk ishin kompletuar dokumentet dhe përkthimi. Por, tani lënda ndodhet në Supreme dhe ne presim thirrje për seancën ankimore. Por, saktësisht nuk e di arsyen pse është vonuar kjo si lëndë pasi bëhet fjalë për një interval kohorë shumë të gjatë”, tha avokati Naser Raufi.
Në një prononcim për gazetën LAJM, Raufi sqaroi se, derisa Supremja nuk pronocohet për këtë lëndë, aktgjykimi nuk është i plotëfuqishëm. Kjo gjë e bën të pamundur transferimin e pjestarëve të Grupit të Kumanovës nëpër burgjet e Kosovës, siç kërkojnë të burgosurit dhe siç ishte paralajmëruar kohë më parë nga ministri i drejtësisë në Prishtinë.
“Nuk është i plotësuar parakushti që të ketë transfer të të dënuarve në Kosovë. Parakusht është që aktgjykimi të jetë i plotëfuqishëm. Sipas Ligjit për Procedurën Penale, nuk mund të bëhet transferi pa e pasur aktygjimin të plotëfuqishëm. Është patjetër që gjykata supreme të prononcohet, por varësisht edhe prej prononcimit të gjykatës sepse ka mundësi që ne si palë mbrojtëse të kërkojmë që lënda të rikthehet dhe të ketë gjykim fer, jo si gjykimi që ka qenë deri tani pa u plotësuar kërkesa e palës mbrojtëse që dhe provat tona të merren parasysh. Asnjë prej provave që i kemi propozuar nuk është marrë parasysh, as në Gjykatën Themelore as te Apeli. Kanë qenë më shumë se 200 prova. Mendoj se po të vërtetohet në supreme ky aktgjykim ne kemi mundësi ta kërkojmë mundësinë e transferit dhe ai sigurisht do të plotësohet sepse parakusht për tu bërë transferi është vetëm që Ministria e Drejtësisë e Kosovës mos të ketë kundër këtij transferi”, tha avokati Naser Raufi.
Avokati Naser Raufi foli edhe për kushtet e rënda të pjestarëve të Grupit të Kumanovës në burgun e Shutkës dhe tha se, ata po mbahen aty padrejtësisht edhe përkundër kërkesave që të transferohen në burgun e Idrizovës.
“Në burgun e Shutkës, kushtet janë mizore dhe mendoj se drejtorët e ri të burgjeve do të pranojnë kërkesën tonë që ata të burgosur të transferohen në burgun e Idrizovës, te objekti i ri dhe ku kushtet janë shumë më të mira”, u shpreh Raufi.
Gjykata e Apelit në Shkup e ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore, e cila më 2 nëntor të vitit 2017 kishte dënuar me 746 vjet burg pjesëtarët e Grupit të Kumanovës. Ndërkohë, ndonëse shumë herë politikanët kanë premtuar hetim ndërkombëtarë për këtë rast, avokati Raufi thotë se, në këtë drejtim nuk është ndërmarrë asgjë deri tani./Gazeta LAJM