Gazetare: Ajnur Bafqari
Rishikimi i buxhetit kaloi në Qeveri. Sipas ministres së Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska, rishikimi parashikon realizim të projekteve infrastrukturore, investime kapitale, ndihmë për bujqësinë, mjedisin jetësor dhe komunat. Koçoska tha se me rishikimin pret rritje ekonomike për 3,5 për qind, duke shtuar se investimet do të shënojnë rritje për 7,2 për qind.
“Me këtë rishikim buxheti, të ardhurat e përgjithshme revidohen në nivel prej 379, 2 miliardë denarë. Në anën e të ardhurave të ardhurat tatimore mbeten pothuajse në nivelin e parë të planifikuar dhe janë projektuar në 213, 2 miliardë denarë që është ulje minimale prej rreth 900 milionë denarë. Gjegjësisht për 0,4 për qind. Kjo ulje është rezultat i të ardhurave të reviduara të akcizave dhe korrigjimeve në TVSH“- deklaroi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska.
Sipas Koçoskës, më së shumti para marrin ministria e Transportit dhe ajo e Mjedisit jetësor.
“Me rishikimin sigurojmë para shtesë për investime kapitale që arrijnë rreth 46 miliardë denarë dhe rriten për rreth 5, 8 miliard denarë, që është rritje për 14, 5 për qind në raport me buxhetin inicial… Paratë janë synuar për realizim të projekteve kapitale rëndësi strategjike për shtetin. Në infrastrukturën rrugore vazhdon realizimi i korridorit 8 dhe 10 D. Autostrada Shkup-Bllacë si dhe përmirësim të infrastrukturës rrugore lokale nëpër komuna“, theksoi Dimitrieska Koçoska.
Pritjet e autoriteteve janë se inflacioni mesatar këtë vit, do të lëviz rreth 4,5 për qind, dhe sipas tyre kjo lidhet me presionet e jashtme dhe krizës botërore energjetike. Presin se borxhi publik të lëviz rreth 60 për qind nga Bruto Prodhimi vendor./Alsat.mk.
The post Transporti dhe Mjedisi marrin pjesën më të madhe të fondeve nga rishikimi i buxhetit appeared first on Alsat.



