Një i ri nga Paskuqani ka përfunduar në prangat e policisë së Pogradecit, pasi është kapur në flagrancë duke transportua 5 emigrantë nga vendet e Lindjes në drejtim të kufirit verior të vendit.
Policia njofton se i riu nuk iu bind urdhrit të ndalimit nga autoritetet rrugore. Por pasi e ndoqën mjetin, policia ka arritur ta kapë të riun në dalje të qytetit.
Njoftimi i policisë:
Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme në kuadër të operacionit policor të koduar “Perimetri 188”.
Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve, kundrejt shpërblimit.
Nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar automjetin me të cilin po transportonte 5 emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 23-vjeçari.
Strukturat për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit. Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit J. C., 23 vjeç, banues në Paskuqan, Tiranë.
Shërbimet e Policisë e kanë konstatuar këtë shtetas, në hyrje të qytetit të Pogradecit, duke drejtuar mjetin tip “Volksëagen”, me të cilin kishin dyshime se po transportonte emigrantë të paligjshëm.
Pas shenjës për ndalim nga punonjësit e Policisë, drejtuesi i mjetit nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar dhe është larguar me shpejtësi. Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të mjetit dhe kanë bërë të mundur ndalimin e tij në dalje të qytetit. Nga kontrolli i ushtruar në mjet u gjetën 5 emigrantë të paligjshëm, të cilëve shtetasi J. C. u kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt shpërblimit.
Po vijon puna për dokumentimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore, të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.