Gazetare: Ilirida Sulejmani
Transportuesit paralajmërojnë protesta për çështjen e kufizimit të qëndrimit të shoferëve profesionistë në zonën Shengen, ku mund të qëndrojnë vetëm 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh. Asociacioni i Transportuesve të Maqedonisë Makam-Trans, njoftoi se në takimin e mbajtur më 21 gusht, është konfirmuar organizimi i një proteste dy-orëshe më 31 gusht. Protesta do të mbahet para selisë së Delegacionit të Bashkimit Evropian, nga ora 12:00 deri në orën 14:00, ku pritet të marrin pjesë të paktën 20 automjete si dhe një numër i madh transportuesish, shoferësh dhe punonjësish të sektorit nga qytete të ndryshme të vendit. Njëkohësisht, protesta do të zhvillohet edhe në Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Mal të Zi, ku është planifikuar vetëm një ditë para mbledhjes së grupit punues në Bruksel më 1 shtator, në të cilën pritet të diskutohet pikërisht problemi i kufizimit të qëndrimit të shoferëve profesionistë në zonën e Shengenit. Ministri i Transportit, Aleksandar Nikollovski tha se rregullat burojnë nga vetë Shengeni dhe ato nuk mund të ndryshohen në mënyrë të njëanshme. Sipas tij tashmë ekziston marrëveshje me disa vende.
“Bëhet fjalë për rregulla që vlejnë në zonën Shengen dhe që përcaktohen nga vetë Shengeni. Ajo që ne mund të bëjmë është të nënshkruajmë marrëveshje dypalëshe me vendet anëtare të zonës Shengen. Këtë tashmë po e bëjmë.04:55-05:15 Kemi marrëveshje me Zvicrën, Kroacinë dhe Rumaninë, janë në zhvillim bisedat me Austrinë dhe Slloveninë. Gjithashtu po punojmë edhe me Gjermaninë. Në këtë mënyrë mbulojmë vendet ku frekuenca e lëvizjes është më e madhe.” – Aleksandar Nikollovski (Ministri i Transportit).
Transportuesit vlerësojnë se Bashkimi Evropian nuk ka treguar vullnet të mjaftueshëm për zgjidhjen e këtij problemi gjatë 7 muajve të fundit, megjithëse, strategjia e vizave i njeh shoferët profesionistë si persona që kryejnë aktivitete profesionale. Ata shpresojnë që takimi i 1 shtatorit në Bruksel të sjellë një zgjidhje konkrete sa i përket transportit të mallrave me interes të veçantë për shtetin dhe qytetarët, ku këto përfshijnë naftë dhe derivate të naftës, qymyr, mjete dhe përgatitje të nevojshme për komunat dhe ndërmarrjet publike, municione dhe mallra të tjera, pasi deri më tani, në kufi janë lejuar vetëm transportuesit e ilaçeve, kafshëve, eksplozivëve dhe municioneve.
Bllokimi nuk vlen për transportin e njerëzve dhe për veturat private. Nga Makam-trans paralajmërojnë se, nëse në takimin e Brukselit nuk arrihet një zgjidhje e përkohshme, do të propozohet një protestë e re në pikat kufitare duke filluar nga 14 shtatori. Sipas tyre, protesta mund të jetë e ngjashme me atë të janarit të këtij viti dhe të zgjasë më shumë se 10 ditë. /Alsat.mk
The post Transportuesit në protestë më 31 gusht: “Schengeni po na pamundëson punën”, paralajmërojnë bllokim të kufijve appeared first on Alsat.



